Intervista
Lajçak optimist se marrëveshja finale Kosovë-Serbi do të arrihet në mandatin e tij
Demokracia
14:31 | 21 Qershor 2022

Share:

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, politikani sllovak, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për kdpolitik.com, flet me opzimizëm se së bashku me homologun e tij amerikan Gabriel Escobar, kanë për të përfunduar me sukses mandatin e tyre për një ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyrimore, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’.

Diplomati i njohur duke folur zvarritjen e integrimit evropian të Ballkanit Perendimor, thotë se ‘lufta në Ukrainë ia hapi sytë shumëkujt në Bashkimin Evropian të cilët mendonin se rajoni është në vend të sigurt, se mund të presë,se nuk ka ku të shkojë. Tani u bë e qartë se ne duhet të përfundojmë procesin e integrimit’- transmeton KDP.

Zoti Lajçak, i njihni mirë rrethanat në rajonin e Ballkanit Perendimor. Si i shikoni aspiratat e tij për integrim evropian?

Lajçak: Po, keni të drejtë. Unë jam disi aktiv në këtë zonë tash e mbi 20 vjet dhe gjatë kësaj periudhe, vendi im Sllovakia u bë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e di se sa e madhe ishte rëndësia e këtij akti për ndryshimin e jetës së qytetarëve tanë. Prandaj po mundohem që të shfrytëzojë përvojat personale për shkak se isha pjesë e këtij procesi dhe të ndihmojë rajonin për të përfunduar me sukses këtë procesin e integrimit evropian. Mendoj se aspiratat e Ballkanit Perendimor janë absolutisht legjitime, absolutisht janë të logjikshme. Për rajonin nuk ka të ardhme më të mirë sesa e ardhmja evropiane dhe Ballkani Perendimor është i vetmi rajon që ka premtimin e Bashkimit Evropian që të gjitha vendet e tij të bëhen anëtare me të drejta të plota.

Keni përvojën nga Sarajeva: Edhe sot e kësaj dite, kur flitet për Bosnjë dhe Hercegovinën flitet si për një shembull të shtetit jofunksional. Të thuash mes të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit ka probleme. Çfarë është angazhimi i Bashkimit Evropian për kapërcimin e tyre?

Lajçak: Bashkimi Evropian është shumë i pranishëm gjithandej në rajon. Është fakt se Bashkimi Evropian pret që vendi i cili shpallë se dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, ai duhet ta dëshmojë se këtë e ka prioritet. Mirëpo, këtu vazhdon të ketë shumë çështje të pazgjidhura nga e kaluara. Lufta jugosllave përfundoi para 27 vjetësh, ka mbi 20 vjet nga intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe Serbi, por e kaluara edhe më tej është e pranishme në ditët e sotme dhe pengon rrugën për një të ardhme më të mirë. Bashkimi Evropian është aktivisht i angazhuar edhe kur është fjala për dialogun për normalizimit e marrëdhëpnieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe sa i përket funksionimit të shtetit të Bosnjë e Hercgovinës dhe në çdo shtet të Ballkanit Perendimor BE-ja është forca kryesore. Është fakt se e kemi humbur pakëz entuziazmin. Të dyja palët, edhe njëra, edhe tjetra. Obligimi ekziston, por emocioni sikur është zhdukur në anën e BE-së, ndërsa këtu në rajon po dëgjohen gjithnjë e më shumë kritika në adresë të BE-së gjë që, fjala vjen, nuk ishte rast para pesë vjetësh. Mirëpo, objektivin nuk do ta arrijmë duke kritikuar njëri-tjetrin. Ne vërtet duhet të bashkëpunojmë. Edhe njëra, edhe pala tjetër duhet të bëhen serioze, sepse e kam thënë se nuk ka alternativë më të mirë. Lufta në Ukrainë ia hapi sytë shumëkujt në Bashkimin Evropian të cilët mendonin se rajoni është në vend të sigurt, se mund të presë, se nuk ka ku të shkojë. Tani u bë e qartë se ne duhet të përfundojmë procesin e integrimit.

Aktualisht, do të thoja kemi dy probleme nevralgjike. Dialogun Kosovë-Serbi, të pasukseshëm deri tani, dhe problemin maqedono-bullgar. Si i shikoni këto çështje për shkak se Bashkimi Evropian ka mundur të ketë influencë për kapërcimin e këtij të fundit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes?

Lajçak: Së pari, nuk mund të pajtohem me këtë konstatimin se dialogu është i pasuksesshëm. Dialogu ka sjellë shumë rezultate konkrete të cilat i kanë ndihmuar qytetarët, para së gjithash në Kosovë dhe falë dialogut Kosova u bë më e fuqishme. Ne po zgjidhim një varg çështjesh të tjera. Jam dakord se për dhjetë vjetë ka mund të bëhet më shumë, por me emërimin tim, Bashkimi Evropian dëshmoi se sa është serioz, për shkak se ma besoi këtë detyrë që me këtë çështje të merrem shtatë ditët e javës, 24 orë në ditë. Dhe ne me të vërtetë po punojmë me vendosmëri me kryenegociatorët dhe me liderët e të dyja palëve, dhe së këndejmi pres shumë shpejt disa rezultate konkrete. Natyrisht, normalizimi i plotë është një proces serioz, por po punojmë për këtë. Sa i përket situatës me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, është fakt se BE-ja merr vendimet mbi bazën e konsensusit dhe është fakt se aktualisht këtë konsensus nuk e kemi, por është po ashtu fakt se BE-ja po punon shumë për arritjen e këtij konsensusi. Mendoj se do ta shfrytëzojmë kohën deri në samitin e 23 qershorit, por gjithësesi se këtu nuk ka alternativë, ndaj duhet angazhimi i të gjithëve për tejkalimin e problemit, në mënyrë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëri të çelin negociatat e aderimit.

Një mik imi nga Beogradi, para fillimit të kësaj interviste, më tha përafërsisht se Serbia më parë do të pranonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë sesa të njihte pavarësinë e Kosovës. Ju deri tani keni qenë tepër aktiv në vijën Bruksel-Prishtinë, Bruksel-Beograd…

Lajçak: Po, po, natyrisht. Kjo është puna ime dhe jo vetëm puna. Nëse bëjmë diçka, e bëjmë seriozisht. Mbaj kontakte të rregullta edhe me kryeministrin Kurti, edhe me presidentin Vuçiq, dhe natyrisht me z. Bislimi dhe z. Petkoviq. Mandati im që e kam marrë nga Këshilli Evropian, domethënë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, flet se ne duhet të merremi vesh dhe të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyrimore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është ajo për çka po punojmë. Nuk po merrem me spekulimet për shkak se kjo fare nuk është e nevojshme e as me leverdi.

Bashkimi Evropian, integrimi i Ballkanit Perendimor, Procesi i Berlinit, Ballkani i Hapur. Si i shikoni këto punë për shkak se, fjala vjen, për ‘Open Balkan’ kemi tre vende që kanë rezerva dhe tre që e mbështesin?

Lajçak: Procesi kryesor që është mbi të gjitha, natyrisht është ai i aderimit në Bashkimin Evropian, është procesi i zgjerimit të BE-së. Të gjitha të tjerat janë që të ndihmojnë këtë kryeproces. Procesi i Berlinit ka për qëllim të ndihmojë ekonomikisht, me infrastrukturë, me projekte. Nuk është proces politik dhe më shumë është praktik dhe si i tillë është mirëpritur në rajon. Kancelari i ri gjerman e tha tani se ky proces ka për të vazhduar. Kemi një varg nismash rajonale, kemi RCC-në, kemi CEFTA-në. Dhjetorin e vitit 2020 të gjashtë partnerët nga rajoni firmosën krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Tani ‘Open Balkan’ është një ide e re që erdhi nga rajoni dhe për të ka qëndrime të ndryshme, nëse është i nevojshëm apo jo. Do të thoja se nëse diçka vjen nga rajoni përherë është lajm i mirë, por është shumë me rëndësi që kjo të plotësojë proceset ekzistuese e jo të kemi duplifikim; së dyti të jetë inkluziv, domethënë që të gjithë të kenë të drejtën e pjesëmarrjes; së treti, që askush të mos diskriminohet, domethënë që të gjithë të geëzojnë status të njëjtë dhe së katërti – të ngritet mbi vlerat dhe normat evropiane, domethënë që të përshpejtojë procesin drejt Bashkimit Evropian.

Sa ka për të zgjatur ëndrra e ballkanasve për të hyrë në Bashkimin Evropian?

Lajçak: Po zgjat shumë. Ky premtimi që dha Bashkimi Evropian është i para 19 vjetëve në Selanik. Gjatë këtyre 19 vjetëve vetëm një vend – Kroacia- hyri në BE, vetëm dy vende – Serbia dhe Mali i Zi- janë në procesin formal të negociatave, të tjerat presin. Kjo nuk është normale. Mirëpo, po theksoj, Bashkimi Evropian gjatë kësaj klohe ka qenë i detyruar të përballet me një varg krizash: Patëm krizën financiare, krizën e migrantëve, patëm Brexitin, patëm Covidin, prandaj objektivisht çështja e Ballkanit Perendimor nuk ishte në qendër të vëmendjes, por sot lufta në Ukrainë dhe agresioni rus në Ukrainë e ktheu Ballkanin Perendimor në qendër të vëmendjes. Kur Evropa mendon se si ta përafrojë Ukrainën menjëherë shtohet se kjo nuk mund të bëhet në llogari të Ballkanit Perendimor. Së këndejmi, kemi një momentum të ri, dhe të gjithë duhet të punojmë që këtë moment të ri ta shndërrojmë në cilësi të re.

A do t’ia dalin zotërinjtë Lajçak dhe Escobar (i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin) të përfundojnë me sukses mandatin me qëllim të përafrimit dhe arritjes së zgjidhjes përfundimtare të mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, respektivisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sikurse shprehet pala serbe?

Lajçak: Zotërinjtë Lajçak dhe Escobar personalisht kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Kemi të njëjtin mandat dhe të njëjtin qëllim. Qëllimi ynë është të kemi sukses, ta mbyllim këtë proces, procesin e normalizimit dhe më duhet të them se këtë proces e drejton Bashkimi Evropian, por të cilin e mbështesin shumë fuqimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është parakusht për sukses!

Domethënë, jeni opstimist?

Lajçak: Jam optimist, ndonëse jam realist. Natyrisht, sikur të mos besoja se mund të arrijmë këtë rezultat, nuk do t’i rrekesha kësaj pune!

Të ngjashme