Lajme
Lajçak: Nuk vij me ultimatum, Kosova e Serbia të përcaktojnë ‘normalizimin’
Demokracia
13:14 | 01 Mars 2021
Mirosllav Lajçak gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.

Share:

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, sot do të arrijë në Prishtinë për një vizitë treditore.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Tanjug” të Serbisë ka thënë se në Beograd nuk shkon për të dhënë “ultimatum” dhe se në takimet që do të ketë në Kosovë dhe në Serbi gjatë vizitës në këto dy vende, dëshiron të marrë përgjigjen se kur do të vazhdojë dialogu.

“Nuk është sekret që BE pret vazhdimin e dialogut dhe se edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën, dialogu është i paevitueshëm në rrugën drejt BE-së. BE është këtu, jemi të gatshëm që të sjellim dy liderët në Bruksel ndërsa tani pyetja është se kur do të ndodh kjo. Dëshiroj që për këtë të marr përgjigje gjatë vizitës”, ka thënë Lajçak, transmeton Demokracia.com.

Duke folur për raportimet në mediat e Serbisë se Lajçak vjen në rajon me një “non-paper”, dokument që përmban një ultimatum për Serbinë, Lajçak se gjithmonë para vizitave të tilla ka spekulime.

“BE nuk punon me ultimatume. Ne jemi këtu që të ndihmojmë. Qëllim i dialogut është që të ndihmohen Beogradi dhe Prishtina dhe përafrimi me BE-në i tërë rajonit”, është shprehur Lajçak.

Në pyetjen se çfarë pritjesh ka për angazhimin dhe konstruktivitetin e qeverisë së ardhshme në Prishtinë, që pritet ta udhëheq Albin Kurti, Përfaqësuesi Special i BE-së vlerëson se Kurti e di mirë se çfarë pritet prej tij dhe se nuk duhet dramatizuar deklaratat e tij.

“Ai është zgjedhur që të zgjidh disa çështje të brendshme në Kosovë, siç është korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, por e di mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, presin vazhdimin e dialogut dhe ai është i gatshëm për këtë”, konsideron Lajçak.

Duke folur për bashkëpunimin e BE-së me administratën e re të SHBA-së, Lajçak vlerëson se nuk bëhet fjalë për “partneritet të ri” por kthim në “bashkëpunimin e mëhershëm” që mendon se ka traditë të gjatë e të suksesshme në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët amerikanë, njihemi mirë dhe kemi qëllim të njëjtë e kjo është e ardhmja europiane për Ballkanin Perëndimor. Nuk besoj se dikush duhet t’i frikësohet bashkëpunimit të BE-së me SHBA-në në çështjen e dialogut mes Beogradit e Prishtinës. Normalizimi i marrëdhënieve Beograd – Prishtinë është parakusht për integrim të suksesshëm ndërsa BE dhe SHBA janë këtu që të ndihmojnë”, thotë Lajçak.

Në çështjen se si BE, si ndërmjetësuesja kryesore në dialog, e sheh insistimin e SHBA-së në “njohjen të ndërsjellë”, Lajçak thotë se qëllim i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe se Beogradi dhe Prishtina janë palët që duhet të pajtohet rreth asaj se “çfarë është normalizimi dhe çfarë është normale”.

Theksojmë se Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë nga 1 deri më 3 mars. Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars. /Demokracia.com/

Të ngjashme