I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në Facebook ka bërë bilancin e javës, ku ka treguar për takimet që i ka pasur në disa shtete të Evropës.
“Në fillim të kësaj jave, udhëtova për në Bukuresht, ku mora pjesë në një event të Këshillit Evropian për marrëdhëniet me jashtë, i fokusuar në të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Aty u diskutua edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është vendimtar për rrugët evropiane të të dyjave vendeve”, shkroi Lajçak.
Diplomati sllovak gjatë qëndrimit në Rumani, ka njoftuar se është takuar edhe me ministren e Jashtme të këtij shteti, Luminita Odebescu.
“Pata një shkëmbim të dobishëm për dialogun, si dhe dinamikën rajonale me ministren e Jashtme të Rumanisë, Luminița Odobescu. Unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen e Rumanisë për punën time dhe angazhimin e saj aktiv në Ballkanin Perëndimor”, potencoi ai.