Lajme
Lajçak: Në tavolinë i kam 16 modele evropiane për Asociacionin
Demokracia
18:49 | 03 Mars 2023

Share:

16 modele evropiane është duke i shqyrtuar emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe. Ai nuk i tregoi ato, megjithëse, tha se do t’i ndajë me partnerët dhe do të vendoset për njërin prej tyre. Çka tha tjetër ai në një prej intervistave të para pas 27 shkurtit?

Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për propozimin evropian, në një takim që u mbajt të hënën dhe u konsiderua si përparim i madh nga Bashkimi Evropian, e po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia e nënshkrimit, takimi i 18 marsit, Asociacioni e shumë çështje të tjera, u përmenden nga ai në një intervistë për “Atlantic Council”.

Diplomati sllovak për herë të parë ka bërë të ditur se janë duke u shikuar 16 modele për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën tha se është obligim ndërkombëtar.

“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t’iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën”, tha ai.

Lajçak bëri të ditur se të njëjtat do të diskutohen, dhe se më pas, do të vendoset se cili mund të përdoret në rastin e Kosovës.

Veç kësaj, ai bëri të ditur se “nuk do të krijohet diçka që e bën shtetin e Kosovës më pak funksional”.

“Po i ndajmë këto diskutime me partnerët tanë, dhe ata, do të vendosin se cilin model do ta marrin. Nuk duam të krijojmë diçka që do ta bënte sistemin e Kosovës më pak funksional. Nuk do të krijojmë diçka që nuk ka qenë e krijuar apo e testuar në hstetet evropiane. Roli ynë është që dy shtetet t’i afrojmë pranë Bashkimit Evropian.” – ka bërë të ditur emisari evropian.

Tashmë gjithë opinioni publik i ka kthyer sytë kah data 18 mars, e cila mund të jetë vendimtare për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në Ohër të Maqedonisë Veriore më 18 mars do të takohen Kurti dhe Vuçiq.

Lajçka ka bërë të ditur se u kanë kërkuar dy liderëve që deri në atë kohë, të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre publike.

Lajçak i çon mesazh Kurtit dhe Vuçiqit: Do të doja sa më pak deklarata për Asociacionin

“Ne kemi pyetur dy liderët që të kenë kujdes nga komunikimet publike, dhe sigurisht që duam të sigurohemi që atmosfera për 18 marsin të jetë konstruktive.” – tha Lajçak.

Ndërmjetësuesi i bisedimeve shtoi se po bëhen gati për takimin e 18 marsit, derisa e konfirmoi edhe një herë, se shumë shpejt do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

“Ne kemi thënë nuk duam që të komentojmë në atë që kanë thënë liderët pas takimit, dhe përgjegjësia ime është që të bëhem gati për takimin e 18 marsit, dhe për këtë arsye do t’i vizitoj dy vendet shumë shpejt”, ka thënë ai mes tjerash.

 

Të ngjashme