Lajme
Lajçak: Në shtator takimi i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në Bruksel
Demokracia
15:53 | 30 Gusht 2023

Share:

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak sot ka takuar në Beograd, Presidentin serb, Aleksandaq Vuçiq, shkruan Reporteri.net.

Përmes një postimi të bërë në Twitter, emisari evropian ka thënë se me presidentin serb ka diskutuar mbi takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, me synim uljen e tensioneve, mbajtjen e zgjedhjeve si dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut.

”Në Beograd sot kam pasur diskutime thelbësore me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut”, shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter.


Ndërsa sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Bashkimi Evropian po pret hapat e Kosovës dhe Serbisë për deeskalim dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut, duke mos përmend afate kohore se kur do të ndodhë një takim i nivelit të lartë në Bruksel.

“Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e definuar shumë qartë për deeskalim, dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, tha Stano.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Policia e Kosovës njoftoi më 4 gusht për zvogëlimin për 25 për qind të prezencës së oficerëve të vet në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Të ngjashme