Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përgjatë vizitës së tij të enjten në Kosovë, u diskutua për normalizimin e marrëdhënieve mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Lajçak një gjë të tillë e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, diskutuan për marrëveshjen e energjisë me Serbinë.
“Sot në Prishtinë kam vazhduar bisedën e javës së kaluar me Kryeministrin Albin Kurti për rrugën përpara në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Shfrytëzova rastin të diskutojë për çështje aktuale me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimin, në veçanti për lirinë e lëvizjes dhe energjinë”, ka shkruar Lajçak.
In Pristina today, I continued last week’s conversation with PM @albinkurti on the way forward in the normalisation of relations with Serbia. I also used the opportunity to discuss current issues with First Deputy PM @BislimiBesnik, in particular freedom of movement and energy. pic.twitter.com/futWO6T4MT
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 15, 2022
Pas takimit, në një prononcim për gazetarët, Lajçak është shprehur i habitur nga deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se dialogu do të ketë kornizë të re.
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës pas takimit mes shefit të ekzekuvit dhe ndërmjetësuesit të BE-së, kanë thënë me anë të një komunikate se pala kosovare ka shprehur gatishmëri për angazhim në “dialog parimor”.
“Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, u tha pos tjerash në komunikatë.
Lajçak shënoi takimin e dytë brenda gjashtë ditësh në Kosovë. Në vizitën e parafundit të emisarit në Kosovë, ai përmendi gjetje alternativash për arritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Në Kosovë, bashkë me të po qëndronin edhe këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.