Një ditë pasi mori bekimin e Bashkimit Evropian edhe për 24 muaj, Miroslav Lajçak ka folur. Dhe atë për shumëçka. I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë dha qëndrimin e tij për Albin Kurtin, Aleksandër Vuçiqin, të pagjeturit, status quo-në, e marrëveshjen finale mes dy vendeve.
Optimist, por i rezervuar – kështu do të mund të cilësohej Lajçaku në intervistën për Radio Televizionin Publik (RTK).
Kështu foli Lajçaku
Në intervistën e parë pasi mori bekimin për të vazhduar lehtësimin e dialogut, Lajçak foli gjerë e gjatë për vokacionin e tij. Pra, dialogu, lehtësimi, e marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë, ishin kryefjala e intervistës.
Deklarata e parë kishte të bënte me intensifikimin e dialogut, i cili është në gjumë tash e një kohë, duke mos pasur takime mes Kurtit e Vuçiqit.
Këta dy të fundit, sipas Lajçakut, janë pajtuar për intensifikim të dialogut në Bruksel.
“Kurti e Vuçiq janë pajtuar për të vazhduar dhe intensifikuar dialogun”, por pa dhënë detaje shtesë, sidomos për një datë të saktë, pasi kujtojmë faktin se një takim i tillë veçse ishte paraparë për në pjesën e dytë të korrikut, që më pas dështoi.
Por në një mënyrë, Lajçak e pranoi dështimin për të organizuar një takim gjatë verës.
Madje, ai pati edhe një arsyetim për mosmbajtjen e një takimi mes Kurtit e Vuçiqit, ndonëse ishte planifikuar një i tillë para pushimeve të verës.
Fajtori ishte “jeta”, që sipas Lajçakut ndryshon ndonjëherë planet e njerëzve, shkruan Nacionale.com.
“Është gjithmonë e ndërlikuar të luash me takime. Kur isha në Prishtinë thashë se unë këtë e pres para pushimeve verore, por jeta ndonjëherë ndryshon planet tona. Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”, tha ai.
Lajçak u pa i kënaqur teksa deklaronte se dy liderët ballkanas e kanë kuptuar që status quo-ja është e rrezikshme.
“Palët, pra Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, e dinë se ‘status quo-ja’ është e rrezikshme. Kjo është arsye e mjaftueshme për të vazhduar dialogun, në fakt edhe për ta intensifikuar atë, gjë për të cilën edhe janë pajtuar”, tha ndër të tjera Lajçak në RTK.
Zbutja e kryeministrit Kurti
Një gjë tjetër që ra në vesh ishte një deklaratë interesante e Lajçakut për Kurtin.
Sipas burokratit nga Brukseli, Kurti erdhi me qëndrime të ashpra, por që me kalimin e kohës u gjet një mirëkuptim për të vazhduar dialogun. E për dialogun, tha se nuk ka pasur kurrë mëdyshje nëse është i nevojshëm.
“Kurti erdhi me qëndrime të forta për një dialog dhe na u desh kohë që të arrijmë në një pikë që të besojmë se mund të kemi takime produktive, por rëndësia e dialogut nuk është vënë në pikëpyetje”, deklaroi Lajçak.
Tutje, ai tha se një marrëveshje duhet të arrihet deri në fillim të vitit 2024, e që është edhe vit elektoral në Evropë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Tani për tani kemi dritaren e mundësive deri në fillim të vitit 2024. Sepse në maj në vitin 2024 do të ketë zgjedhje evropiane dhe në SHBA do të ketë zgjedhje presidenciale atë vit”, ka thënë ai.
Një marrëveshje gati
Sipas lehtësuesit Lajçak, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është afër.
Ai ka treguar se një marrëveshje për personat e zhdukur është “dy fjalë larg”.
Lajçak thotë se tani duhet vetëm vullnet politik për arritjen e kësaj marrëveshjeje, e që sipas tij, do të sjellë pozitivitet te njerëzit.
“Por, duam të sigurohemi që takimi të prodhojë diçka pozitive për njerëzit, më logjik e më i dukshëm do të ishte një rezultat pozitiv i takimit, do të ishte marrëveshja për personat e zhdukur sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi. Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5 për qind e teksti është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, tha Lajçak.