Lajme
Lajçak: Kurti dhe Vuçiqi e kuptuan sa e rëndë është situata, zgjedhjet në veri mbahen në muajt në vijim
Demokracia
17:31 | 28 Qershor 2023

Share:

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, duhet të mbahen në muajt e ardhshëm.

Ai në një intervistë për Euronews Serbia, ka folur për takimin e kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ata janë pajtuar që të mbahen zgjedhjet.

“Sigurisht që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajt në vijim. Dhe kjo ishte një nga pikat për të cilat Vuçiq dhe Kurti ranë dakord. Është e qartë se kryetarët e bashkive nuk kanë legjitimitetin që duhet të kenë. Kryetar komunash me legjitimitet mund të jenë vetëm ata të zgjedhur nga serbët e Kosovës. Pyetja me të cilën po merremi është se kur dhe si do të arrijmë atje. Dhe sigurisht, që serbët të kenë motivimin për t’u ndjerë të sigurt dhe se kemi zgjedhje të lira.” – tha Lajçak.

Ai ka thënë se edhe Kurti edhe Vuçiq e kanë kuptuar sa e rëndë është situata.

“Ai takim të enjten e kaluar në Bruksel ishte një takim për menaxhimin e krizës. Pra, nuk ishte një takim kushtuar normalizimit, dialogut, fatkeqësisht. Gjëja pozitive është se edhe Vuçiq edhe Kurti e kuptuan se sa e rëndë është situata. Askush nuk e fsheh këtë dhe nuk pretendon se nuk kemi krizë serioze në veri. Dhe së dyti, ata ranë dakord se një nga elementët kryesorë të daljes nga kriza janë zgjedhjet e reja. Aty ku ata nuk u pajtuan ishte çështja e de-përshkallëzimit. Si do të funksionojnë këta kryetarë dhe nga ku.” – tha ai.

Të ngjashme