Vetëm një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq do të kryente punë. Ky kishte qenë qëndrimi i emisarit sllovak, Miroslav Lajcak, në takimin e fundit që ka pasur në Bruksel me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Lajcak s’kishte aranzhuar një takim trepalësh mes Bislimit dhe Petkoviqit gjatë korrikut, meqë sipas tij finalizimi i planit të sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kërkon në tavolinë shefat kryesorë.
Përpjekjes për të finalizuar planin e sekuencimit BE-ja i është rikthyer pas pushimeve të verës. Më 14 shtator drejt Brukselit do të udhëtojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me krizën në veri dhe masat e BE-së mbi shpinë.
Por, a do të sjell një marrëveshje ky takim i nivelit të lartë, çfarë nëse kushtëzohet Kosova që ta themelojë e para Asociacionin?
Lidhur me këtë për Gazetën Express ka folur ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Hardinaj-Stublla dhe Naim Leo Besiri nga Instituti për Çështje Evropiane.
Ish-shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj Stublla, në një intervistë për Express ka thënë se shkuarja e Kosovës në një takim të tillë pa e negociuar fillimisht heqjen e sanksioneve nga BE-ja, do të ketë një përfundim humbës për Kosovën pa prapakthim.
Ajo thotë se takimi do të kishte kuptim vetëm kur Kosova dhe Serbia do të uleshin në tavolinë si dy palë të barabarta, meqë ekziston rreziku që Kosova të kushtëzohet me fillimin e implementimit të marrëveshjes së Ohrit për t’ia hequr vetes sanksionet.
“Shkuarja në tavolinën dialoguese me Vuçiqin me 14 shtator, pa e negociuar heqjen e sanksioneve me aleatët fillimisht, rrezikon që Kosova të kushtëzohet me fillimin e implementimit të marrëveshjes së Ohrit për t’ia hequr vetes sanksionet – e jo të përfitojë nga ndonjë pikë e favorshme e asaj marrëveshjeje. Ky do të jetë epilog humbës për ne, dhe prapakthim. Dialogu do të kishte kuptim kur Kosova dhe Serbia ulen si palë të barabarta në atë tavolinë dialoguese, e jo siç janë sot – njëra e pasanksionuar për veprimet kriminale të ushtruara kundrejt një shteti fqinj – e tjetra e sanksionuar që është përpjekur të shtrijë dorën e demokracisë dhe rendit e ligjit në një pjesë ku mbizotëron anarkia e dhuna”, ka thënë Haradinaj-Stublla.
Sipas ish-kryediplomates, Kosova fillimisht do të duhej të merrej me vetveten përpara se të ulej në tavolinë me Serbinë.
“Pikë së pari, Kosova do të duhej të merrej me vetveten para se të ulet në një dialog të pabarabartë me Serbinë – e cila pavarësisht marrëveshjes së arritur në Ohër/Bruksel vetëm muaj më parë, ka vazhduar luftën kundër Kosovës tërësisht e pasanksionuar nga komuniteti ndërkombëtar për shkeljet e vazhdueshme”, ka shtuar tutje ajo.
Ajo thotë se Serbia ka qëllim afatgjatë që Kosova të mbetet e sanksionuar dhe në një raport me aleatët e saj që ish-kryediplomatja e emërton si “zonë të hirtë”.
Haradinaj-Stublla thotë se pavarësisht sa të padrejta duken sanksionet, Kosova s’mund të pres që Serbia të ndryshojë pozicion, pro duhet të vihet në lëvizje e para për ta gjetur rrugën përpara për të mos e thelluar edhe më tej “zonën e hirtë” ku gjendet Kosova sot.
“Është fakt i pamohueshëm që Kosova përfundoi në këtë gjendje këtë fillimverë për shkak të veprimeve kriminale të Serbisë në veriun e vendit, dhe padyshim për shkak se forcat gjeopolitike favorizuan një Serbi të pasanksionuar dhe të përkëdhelur!
Pra, pavarësisht se sa të padrejta na duken neve këto sanksione, Kosova nuk guxon të numërojë në vend e të presë që Serbia të ndryshojë e përmirësojë qasjen ndaj Kosovës, por përkundrazi – Kosova do të duhej të kërkojë pareshtur një rrugë që të ecë përpara me aleatët e të mos e thellojë edhe më tepër këtë “zonën e hirtë” ku jemi sot”, thekson ajo.
Ky takim në Bruksel, sipas saj do t’i shkojë në favor Serbisë e Rusisë për të shkaktuar trazira të reja dhe për t’i instrumentalizuar serbët e Kosovës.
“Dialogimi i nivelit të lartë me 14 shtator, përderisa Kosova është në “zonë të hirtë” me aleatët (lexo: e sanksionuar) do t’i shkojë në favor Serbisë e Rusisë për të shkaktuar trazira të reja në veri, për t’i instrumentalizuar serbët e Kosovës, dhe për të mbajtë kufirin Kosovë – Serbi në tension e krizë të pafundme”, ka thënë Haradinaj-Stublla.
Kur flet për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ish-ministrja e jashtme thotë se padyshim që Serbia do të kërkojë themelimin e e Asociacionit, ndërkohë potencon se Kosova duhet të ketë kundërkërkesat e saj për zbatimin e marrëveshjes për hapjen e Urës së Ibrit, funksionalizimin e pesë pikave kufitare dhe pranimin e dokumenteteve të udhëtimit të Republikës së Kosovës.
“Fatkeqësisht, Kosova me negocimin dhe pranimin përfundimtar të Marrëveshjes së Ohrit realisht ka pranuar që themelimi i Asociacionit dhe formalizimi i statusit ligjor të Kishës Ortodokse janë temat më të rëndësishme në dialog – sepse siç dihet, vetëm këto dy çështje nga dialogu i mëhershëm janë kodifikuar në një nen të veçantë në marrëveshje (neni 7). Prandaj nëse flitet për sekuencim, padyshim që Serbia do të kërkojë Asociacionin, ndërsa Kosova edhe pse dështoi të fusë çështjet e saj prioritare në nene të veçanta të marrëveshjes – do të duhej të kushtëzojë që Serbia të fillojë menjëherë me zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes – pra hapjen e urës së Ibrit, funksionalizimin e 5 pikëkalimeve kufitare të marrëveshjes së IBM-it, dhe pranimin e dokumenteve të udhëtimit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Haradinaj-Stublla nuk i sheh fare si zgjidhje mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Ajo thotë se Kosova duhet të bëjë një rishikim strategjik të pozicionit të saj dhe të mos ulet në tavolinë e sanksionuar për shkak të veprimeve të Serbisë.
“Secili njohës i zhvillimeve në Ballkan e ka të qartë që zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje në veri. Zgjedhjet e reja në veri nuk do të largojnë bandat kriminale të Vuçiqit prezente në veri. Kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur zbatohet marrëveshja e Brukselit për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të përgjithshëm, funksionalizimit të pikave kufitare me Serbinë (IBM) dhe shtrirjes së vërtetë të rendit e ligjit në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Prandaj edhe po të mbajë nesër Kosova zgjedhjet e reja në veri, nuk besoj se do ta qetësojë përfundimisht gjendjen e sigurisë atje dhe t’i largojë elementet kriminale të Listës serbe nga terreni e nga institucionet e reja pas zgjedhjeve. Qeveria urgjentisht duhet të bëjë një rishikim strategjik të pozitës së saj në dialog, dhe të mos pranojë të ulet në dialog me Serbinë si shtet i sanksionuar pikërisht për shkak të veprimeve kriminale të Serbisë”, ka përfunduar ajo.
Naim Leo Besiri nga Instituti për Çështje Evropiane me seli në Beograd në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Ohrit është thelbësor për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Megjithatë ai thotë se dakordimi për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes mund të jetë komplekse.
Besiri thotë se plani i sekuencimit duhet të sigurojë që Kosova dhe Serbia përmbushin detyrimet e tyre sipas marrëveshjes në të njëjtën kohë ose në mënyrë të koordinuar.
“Plani i renditjes duhet të synojë të sigurojë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre sipas marrëveshjes në të njëjtën kohë ose në mënyrë të koordinuar. Ndërsa arritja e një plani të renditjes është sfiduese, nuk është e pamundur.”, ka thënë Besiri për Express.
Për një plan sekuencimi të zbatueshëm, Besiri thotë se ndërhyrja ndërkombëtare është vendimtare.
Besiri nuk përjashton mundësinë që kryeministri Albin Kurti ta përdor çështjen e organizimit të zgjedhjeve të reja në veri për të pasur një pozicion më të fortë negociues.
“Kryeministri Kurti mund ta përdorë çështjen e organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës në mënyrë strategjike për të fituar leva në negociatat në Bruksel. Kjo taktikë nuk është e pazakontë në diplomacinë ndërkombëtare. Duke ngritur perspektivën e zgjedhjeve të reja në veri, Kurti mund t’i sinjalizojë Serbisë se ka mbështetje të brendshme për pozicionet e tij dhe potencialisht t’i bëjë presion për të bërë lëshime”, ka thënë ai.
Por, Besiri thotë se një taktikë e tillë bartë edhe rreziqe, meqë përdorimi i zgjedhjeve në negociata mund të komplikojë edhe më tej situatën në veri të Kosovës “ duke çuar potencialisht në trazira ose rezistencë nga komunitetet lokale serbe”.
“Është thelbësore që Kurti ta trajtojë këtë çështje me kujdes dhe të sigurojë që çdo vendim në lidhje me zgjedhjet të merret në konsultim me të gjitha palët e interesuara, përfshirë liderët lokalë serbë”, shprehet Besiri.
Besiri në këtë intervistë të shkurtër për Express ka folur edhe rreth asaj nëse do të ketë kushtëzime që Kosova të fillojë e para me implementimin e Asociacionit. Ai thotë se është një çështje mjaft sfiduese nëse palët do të futen në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pa e zbatuar Kosova fillimisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Marrëveshja e Ohrit është një kornizë më e gjerë për normalizim, ndërsa ASM është një komponent specifik i saj. Renditja e këtyre dispozitave në mënyrë ideale duhet të përcaktohet përmes negociatave. Të dyja palët duhet të pranojnë se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë ASM-në, është në interesin e tyre afatgjatë dhe jetik për proceset e tyre të anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit për Çështje Evropiane thotë se mund të hulumtohen kompromise ose marrëveshje alternative për të adresuar shqetësimet e të dy palëve dhe thotë se në këtë mes BE-ja mund luaj rol për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy palët.
Në rast të mos gatishmërisë për kompromis, Besiri rikujton paralajmërimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për vizat dhe sanksionet ekonomike në rast se Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi.
“Si përfundim, zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëveshjeve të tjera të ndërlidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon negociata të kujdesshme, kompromis dhe ndërmjetësim ndërkombëtar. Si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiq duhet të kenë prioritet stabilitetin rajonal dhe procesin e integrimit evropian, duke pranuar se bashkëpunimi i tyre është thelbësor për mirëqenien e qytetarëve të tyre dhe të rajonit më të gjerë. Plani i renditjes duhet të zhvillohet duke pasur parasysh këto parime dhe çdo sfidë gjatë rrugës duhet të adresohet përmes dialogut konstruktiv. Nëse jo, vendosja e kufizimeve të vizave për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës është një sinjal i qartë për padurimin e bashkësisë ndërkombëtare për mungesën e progresit në dialog”, ka përfunduar Besiri.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një Marrëveshje në Ohër më 18 mars të këtij viti.. Zbatimi i Marrëveshjes kërkohet me ngulm nga perëndimorët, ndërkohë që në Bruksel më 14 shtator do të provohet gjetja e një zgjidhjeje për atë se si duhet zbatuar marrëveshja.