Lajme
Lajçak e takon sot Kurtin dhe Osmanin, s’paralajmërohet adresim për media
Demokracia
10:05 | 09 Mars 2023

Share:

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do ta takojë përgjatë së enjtes kryeministrin e vendit, Albin Kurtin si dhe presidenten Vjosa Osmani përgjatë qëndrimit të tij dy-ditor në Kosovë.

As Zyra e Kryeministrit e as ajo e Presidencës nuk kanë paralajmëruar adresim për media, raporton Demokracia.com.

Lajçak do të takohet me Osmanin nga ora 14:10, ndërkaq me Kurtin më 16:00.

Sipas njoftimit nga Brukseli, Lajçak do të qëndrojë në Kosovë me qëllimin që siç u tha të vazhdojë diskutimet si pjesë përcjellëse e takimit të nivelit të lartë që ngjau më 27 shkurt në kryeqytetin e BE-së dhe përgatitjeve për mbajtjen e tjetrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tema kyçe e bisedimeve me palë të ndryshme do jetë aneks-plani i zbatimit të krejt pikave të propozimit evropian për ujdi që u pajtua si dokument i pandryshuar.

Nga 11 nene që ka propozimi evropian, në skenën politike e shoqërore kosovare neni më i diskutuar është ai me numër shtatë.

Aty flitet për përkushtimin e të dyja palëve në arritjen e ujdisë specifike e garancive sipas përvojave evropiane për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Si dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

E në nenin dhjetë thuhet mes tjerash se palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar krejt ujditë e mëparshme në dialog. /Demokracia.com/

Të ngjashme