Lajme
Lajçak deklarohet për takimin e sotëm, thotë se ka paraqitur një ‘dokument kompromisi’ për dinarin
Demokracia
21:36 | 25 Prill 2024

Share:

Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë, gjatë rundit të fundit të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

Pas takimit trepalësh ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak përmes një postimi në platformën X ka njoftuar se ka dalë me një propozim të ri kompromisi për çështjen e dinarit.

“Prita një takim nga Dialogu për të gjetur një zgjidhje për “çështjen e dinarit”. Ky takim u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre”.

Lajçaku tha se në fund të takimit ka propozuar një dokument që synon të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket “çështjes së dinarit”.

“Takimi përfundoi duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pasi të pranojë së komentet konstruktive”.

Takimi mes Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta.

Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

Të ngjashme