Lajme
Lajçak: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ta marrin seriozisht zgjerimin
Demokracia
19:36 | 09 Maj 2023

Share:

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet ta marrin seriozisht zgjerimin.

Në një intervistë për mediumin kroat “Hina”, Lajçak ka thënë se në vendet e Evropës Juglindore mbështetja për anëtarësim në BE po bie.

“Mendimi im personal është se Evropa duhej ta përtypte zgjerimin enorm në 2004 dhe 2007. Ai solli shumë efekte pozitive, por edhe elementë që e ndërlikuan BE-në, veçanërisht sepse është më e vështirë të merren vendime unanime me 28, ose tani me 27 vende, sesa kur ishin 15. Disa vende devijuan nga normat dhe vlerat evropiane, gjë që gjeneroi edhe skepticizëm drejt zgjerimit të mëtejshëm. Për më tepër, duke folur objektivisht, Evropa është përballur me kriza të shumta që nuk ishin planifikuar apo pritur, si kriza financiare, migrimi dhe Brexiti. E gjithë kjo e shtyu zgjerimin poshtë listës së prioriteteve. Opinioni publik në shumë vende të Evropës Perëndimore nuk ishte pozitiv ndaj hapjes së tregut të punës për anëtarët e rinj, kështu që liderët politikë nuk donin të nxisin zgjerimin e mëtejshëm”, ka deklaruar ai.

Lajçak më tej tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga vendet e Evropës Qendrore, kanë ende çështje të pazgjidhura nga e kaluara që vazhdojnë t’i preokupojnë.

“Nuk dua të flas për fajin e dikujt, por ka pasur faktorë si nga BE-ja ashtu edhe nga pala ballkanike që na çojnë në një situatë ku flasim për të ardhmen e BE-së, por pa progres. Por tani, pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne shohim se si BE ashtu edhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin. Kjo nuk mund të arrihet nëse njëra palë e merr seriozisht dhe tjetra jo”, u shpreh ai.

Të ngjashme
Lajme • 15 Maj 2024