Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka thënë se partia e vet ka ofruar rrugëdalje që Vetëvendosje, anipse nuk i ka numrat, të mund të zgjedh Kryetarin/en e Kuvendit të Kosovës, referuar propozimeve që ato të jenë emra si Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi.
Madje, Brahimaj tha se “mund të jetë edhe ndonjë emër tjetër”, duke folur për “Periskopi”-n.
“Ne nuk po themi që na takon posti i Kryetarit të Kuvendit, por nëse u duhen votat, ata duhet të bisedojnë që t’i sigurojnë ato. Kryetari Haradinaj dhe ne kemi dhënë një opsion si emër kompromisi, duke propozuar dy gra të ndershme, meqenëse ata e kanë propozuar një grua. Ne kemi propozuar Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin për kryetare të Kuvendit. Për ne, figura kompromisi do të ishin këta dy emra. Megjithatë, nëse diskutohet, mund të jetë edhe ndonjë emër tjetër, por jo një grua e cila, nëse e shihni, për katër vjet nuk ka lënë gjë pa thënë kundër secilës figurë politike të opozitës,” ka thënë ai.
“Nuk janë të interesuar t’i sigurojnë numrat, shihet që nuk kanë provuar të bisedojnë me askënd. Në njërën nga seancat, mund të gaboj, vetë Albulena, që ishte kandidate, nuk ishte prezente për ta votuar veten. Do të thotë, në secilën seancë ka munguar ndonjë deputet i Vetëvendosjes. Sigurisht që ata e dinë që nuk i kanë numrat për Qeveri dhe po bëjnë një test me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në fakt, në momentin që i sigurojnë 61 vota për kryetar Kuvendi, llogarisin se i kanë edhe për kryeministrin,” ka thënë deputeti i AAK-së.