Lajme
Laborantët e lartë të mjekësisë e nëpunësit e viteve 90-ta kërkojnë të zgjidhet statusi i tyre
Demokracia
16:58 | 13 Prill 2022

Share:

Përfaqësues të grupit të laborantëve të lartë të mjekësisë dhe nëpunësit e shtetit gjatë viteve të 90-ta kanë folur për diskriminimet që po u bëhen atyre nga shteti para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Të dyja këto grupe kanë deklaruar se janë neglizhuar për vite me radhë nga institucionet, ani pse kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për zgjidhjen e statusit të tyre.

Përfaqësuesi i grupit të laborantëve të mjekësisë, Astrit Zekolli tha se rreth 100 të diplomuar nuk janë të licencuar si biokimistë klinikë. Këta të diplomuar kanë përfunduar Fakultetin e Biologjisë Aplikative dhe masterin e Biokimisë dhe Fiziologjik. Më tej u janë kërkuar edhe modulet shtesë profesionale në Fakultetin e Mjekësisë me titullin “menaxher i laboratorëve mjekësorë”.

“Në vitin 2012 përfundojmë modulet dhe fillon licencimi. Ministria e Shëndetësisë prej asaj kohe asnjëherë nuk është marrë me problemin tonë dhe nuk e ka rregulluar bazën ligjore për të drejtat tona të punës. Na ndan një licencë me titullin “laborant i lartë mjekësor” dhe nuk kemi asnjë të drejtë të punës. Prej asaj kohe kemi këtë telash. Renditjen nuk e kemi askund, as me pagat e reja e as me të vjetrën. Shkollimin e kemi 420 kredi secili i diplomuar, kompetencë të punës nuk kemi, të drejta të punës nuk kemi. Ne si grup jemi diku 100 vetë. Kemi pasur tani një takim, i kemi mbledhur 50 nënshkrime që iu kemi drejtuar juve”, ka thënë ai.

Zekolli shtoi se kanë kërkuar takim edhe me ministrin e Shëndetësisë, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht kërkesa për njohjen e së drejtës së licencimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve bazuar në shkollimin e tyre.

Ndërsa, anëtari i komisionit, Shemsedin Dreshaj tha se Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet ta zgjidhin së bashku këtë çështje.

“Në Ministri të Arsimit këta marrin licencë pa problem, por në Ministri të Shëndetësisë e njeh Fakultetin e Mjekësisë, e jo të FSHMN-së. Këtu është krejt problemi që ka lindur dhe kanë mbetur pa legalizim dhe krijim të marrëdhënieve të punës. Ministri i Arsimit dhe ai i Shëndetësisë duhet të bëjnë një zgjidhje… Në elaborimin që është bërë atëherë është se këta nuk kanë të drejtë të marrin gjak. Këta janë të edukuar për punë të njëjta që punojnë edhe laborantët sot, por jo me gjakun e njeriut”, ka deklaruar Dreshaj.

Anëtari Mirsad Shkreta theksoi se për këtë është fajtor shteti, i cili ka hapur drejtimin e Biologjisë Aktive, i cili më pas ishte mbyllur.

“Unë jam i trishtuar se si ka mundësi që për kaq vjet shteti të mos merret me një komunitet të caktuar. Ku vetë ka shpallur mundësi shkollimi dhe ka adresuar në program se cili është targeti juaj… Shteti duhet të marrë përsipër që t’ju jep përgjigje dhe duhet të jetë më fleksibile për të dhënë mundësi se kush është për laborator dhe drejtime të tjera”, ka deklaruar ai.

Pozitë e opozitë në këtë komision janë zotuar se do të adresojnë kërkesat e këtij grupi në Ministrinë e Shëndetësisë.

Edhe sindikata e nëpunësve të shtetit të viteve të 90-ta ka folur për diskriminimet që po u bëhen për kaq shumë vjet.

Ndue Kalaj nga Sindikata e Administratës Publike tha se Ligji për Skemat Sociale nuk po përcakton statusin e të përndjekurve politikë të viteve ’90-ta.

“Nuk e kishim besuar që një shtet i Kosovës, i cili ka vuajtur kaq shumë që të mos zgjidhë problemin e statusit të njohjes të të përndjekurve politikë… Një ndër ligjet të cilat më së shumti na kanë dëmtuar është Ligji për Marrëdhëniet për Punë, i cili në rrethana të jashtëzakonshme në Kosovë, i cili është nxjerr në Beograd dhe aplikuar dhunshëm në Kosovë. Fatalitet tjetër ka qenë masat e përkohshme në Kosovë në vitet ‘90-ta, në të cilat ligje 99 për qind ka qenë kundër kosovarëve dhe janë larguar nga puna mbi baza politike dhe nacionale dhe në kundërshtim me Konventën 111”, ka thënë ai.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku tha se ata kanë të drejtë për kërkesat e tyre, por që merr kohë që të korrigjohen gabimet që janë bërë për 20 vjet.

Në komision ka qenë i ftuar edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Përkundër që ishte i pranishëm, ai tha se nuk mund të presë më tej për shkak të konferencës për media që kishte ftuar.

Të ngjashme