Sport
Ky ishte fjalimi emocionues i presidentit legjendar Fadil Vokrri pas pranimit të Kosovës në UEFA
Demokracia
14:32 | 03 Maj 2023

Share:

Shtatë vjet më parë, Kosova ishte bërë anëtarja më e re e Federatës Evropiane të Futbollit, duke e mposhtur më në fund kundërshtimin dhe lobimin e ashpër serb.

Në Kongresin e UEFA-s, të mbajtur më 3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër, ndërsa 2 vota ishin shpallur të pavlefshme.

Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim të FFK-së në FIFA, i cili erdhi vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj 2016.

Kjo pa dyshim se ishte një arritje historike për futbollin kosovar, me legjendën Fadil Vokrri në krye, shkruan “Gazeta Express”.

Presidenti i atëhershëm i FFK-së kishte bërë punë të madhe dhe të vazhdueshme për ta arritur qëllimin.

Mes lotëve, futbollisti më i madh që e ka pasur ndonjëherë Kosova, para anëtarëve të tjerë të UEFA-s, e kishte bërë një fjalim emocionues pasi i ishte dhënë fjala pak momente pas pranimit në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian.

 

“Jam shumë i emocionuar t’iu drejtohem pasi sot Kosova është pranuar në UEFA. Ky është një moment historik për futbollin kosovar. Një lajm i jashtëzakonshëm për futbollistët, për sportdashësit. Betohemi se do t’i mbrojmë vlerat e futbollit. Faleminderit për votat që na bënë anëtaren e 55-të të UEFA-s. Një drejtësi e vonuar, por një e arritur e jashtëzakonshme”, ishte shprehur Vokrri në selinë e UEFA-s në vitin 2016.

Fatkeqësisht, Fadil Vokrri vdiq dy vjet më pas, pas një sulmi në zemër, më 9 qershor 2018.

Të ngjashme