I njohur si parajsa e fotografëve për pamjen piktoreske të tij të jashtëzakonshme dhe shtëpitë me ngjyra pastel, këtij vendi i japin edhe një hijeshi shtesë restorantet dhe dyqanet e bukura…
Camogli, i vendosur rreth 30 kilometra nga Gjenova në veriperëndim të Italisë, zuri vendin e parë në listën e revistës Architectural Digest të qyteteve bregdetare më të bukura në botë, duke tejkaluar Kejp- Taunin, Rio de Janeiron dhe Hong-Kongun.
Ndodhet në Rivierën Liguriane dhe është një destinacion i preferuar veror, me temperatura mesatare që arrijnë 27°C gjatë verës.
Ngjyra pastel dhe aroma e peshkut
Është i njohur si parajsë për fotografët, sepse shtëpitë e këtij qyteti me ngjyra pastel ofrojnë pamje tepër piktoreske, kurse restorantet dhe dyqanet bukura ia shtojnë hijeshinë. Konsiderohet gjithashtu si një nga vendet më të mira në Liguria për të parë perëndimin e diellit – bregdeti dredha-dredha është natyrshëm përballë horizontit, gjë që krijon peizazhe magjepsëse, transmeton Telegrafi.
Përveç verës, Camogli vizitohet nga turistët edhe në fillim të majit, kur mbahet Sagra del pesce – një festival kushtuar specialiteteve lokale të peshkut. Ky aktivitet, i cili mbahet për më shumë se 70 vjet, është i njohur për atraksionin e tij kryesor: një tigan të madh me diametër prej katër metrash, në të cilin përgatiten tre tonë peshk të freskët gjatë një dite.
“Shtëpia e Grave”
Nëse vendosni ta vizitoni, mund të eksploroni edhe historinë e tij të pasur detare – Camogli ka qenë prej kohësh një fshat peshkimi dhe qendër tregtare, me rrënjë që datojnë që nga kohërat e lashta.
Vetë emri – Camogli, fjalë për fjalë do të thotë “shtëpia e grave”, sepse për shekuj me radhë burrat shkonin në det dhe peshkonin, ndërsa gratë qëndronin në shtëpi. Megjithatë, kjo nuk është nofka e vetme që mban qyteti: në fund të shekullit të 19-të, flota e tij numëronte qindra anije, prandaj fitoi emrin “qyteti i një mijë velave të bardha”.
Camogli është vetëm 20 minuta larg me tren nga Gjenova, duke e bërë atë ideal për një udhëtim njëditor nëse vendosni të eksploroni këtë pjesë të Italisë.