Policia e Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar të Ministrisë së Kulturës.
Demokracia.com mëson se zyrtari i arrestuar është Leotrim Gashi. Ai është kapur sot në flagrancë, duke i marrë rreth 6 mijë euro nga aplikuesit për subvencione.
Gjatë gjithë ditës në objektin e Ministrisë së Kulturës mësohet se janë parë edhe policët civilë.
Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
“Sot me datë 11.01.2022, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është realizuar një operacion me ç ‘rast është arrestuar ne flagrancë një person mashkull kosovar, i cili dyshohet se me pozitën që kishte në kuadër të një Ministrie të RKS-së, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet shumën e të hollave prej mijëra eurosh, nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga Ministria përkatëse. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i njëjti ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia nuk kanë treguar nga cila ministri është i arrestuari dhe as shumën me të cilën është kapur. /Demokracia.com/