Lajme
Ky është i preferuari i pushtetit për Guvernator të BQK-së, përkrahet nga Vjosa Osmani e Besnik Bislimi
Demokracia
15:33 | 19 Dhjetor 2022

Share:

Ka vetëm pak ditë që është përmbyllur konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Edhe pse ky proces ende nuk ka nisur mirë, politika tashmë ka nisur t’i fus hundët..

Demokracia.com ka mësuar nga burime të afërta me presidenten Osmani, se ajo është duke e shtyrë përpara Mentor Nimanin, të cilit edhe i kanë kërkuar të konkurrojë.

E mbështetje në këtë garë, siç ka mësuar Demokracia.com, Nimani po merr edhe nga ish-kolegu i tij në Universitetin Amerikan, Besnik Bislimi, tash zëvendës i Kurtit.

Garës për guvernator të BQK-së ia kanë mësyrë Fehmi Mehmeti, që  është guvernator aktual, Nexhat Kryeziu, që është anëtar i Bordit të BQK-së, Shkëndije Himaj, ish-punonjëse në BQK, Emanuel Bajra, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci dhe Ardian Uka.

Ndryshe, bazuar në nenin 38 të Ligjit mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli i Bordit të Bankës Qendrore (BQK) ka publikuar kriteret që një kandidat duhet t’i plotësojë për këtë pozitë.

Ai duhet të jetë me integritet dhe të ketë përgatitje universitare, të ketë minimum dhjetë (10) vite përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështje juridike. Pastaj, ai duhet të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me misionin, objektivat dhe detyrat e BQK-së, si dhe të ketë përvojë dhe aftësi menaxheriale, por edhe t’i përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar, duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.

Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidentja e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.

Kush është i preferuari i pushtetit për guvernator?

Nimani që është shtetas amerikan, nga vitit 2011 punon në RIT – Kosovë si ligjërues i lëndëve të Politikës Publike dhe Zhvillimore e të së Drejtës Publike Ndërkombëtare.

Pejani me shtetësi amerikane ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1995).

Në vitin 2001 ka diplomuar Master në Shkenca dhe Arte të Drejtësisë Ndërkombëtare dhe Krahasuese në Shkollën Juridike të Universitetit George Washington në Uashington, D.C.

Ndërsa, në vitin 2003, ai ka përfunduar studimet Master të Arteve në Drejtësi dhe Diplomaci, në Universitetin Tufts, në partneritet me Universitetin e Harvardit në Boston, Massachusetts, SHBA. /        Demokracia.com/

Të ngjashme