Lajme
Ky është Antony Blinken, Sekretari i ri i Shtetit
Demokracia
11:19 | 27 Janar 2021

Share:

Për Antony Blinken, kryediplomatin e ri amerikan, kthimi në Departmanenti i Shtetit është mundësi për të vazhduar traditën profesionale por edhe atë familjare. Blinken, i cili është konfirmuar nga Senati amerikan si Sekretar i Shtetit më 26 janar, do të udhëheqë me Departamentin e Shtetit ku ka shërbyer në kohën e administratës së Clinton dhe Obama. Karriera e tij si shërbyes civil është vazhdim i hapave të të atit dhe të xhaxhait të tij të cilët kanë shërbyer si ambasadorë amerikanë.

Në intervistimin në Senat, më 19 janar, Blinken u shpreh se do të punojë me partnerët ndërkombëtarë që të luftohet pandemia e Covid-19 dhe u shpreh i kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë aftësi që të mobilizojë të botën për të punuar për të mirën e përbashkët, raportojnë mediat e huaja, përcjell Demokracia.com

“Disa gjëra mbesin të njëjta. Lidershipi amerikan ende është i rëndësishëm”, është shprehur Blinken. “Asnjë sfidë e madhe me të cilat përballemi nuk mund të përballohet vetëm nga një shtet – as nga një shtet i fuqishëm si SHBA-ja”, tha ai.

Blinken theksoi edhe se puna e tij është “detyrë e shenjtë”, pasi vazhdon traditën e familjes.

Blinken u shpreh se përvojat e anëtarëve të familjes së tij që i kishin ikur persekutimit dhe kanë gjetur shpëtim në Shtetet e Bashkuara, e kanë bërë të kuptojë më mire rolin e Amerikës në botë.

Gjyshi i tij, Maurice Blinken, kishte ikur nga pogromet në Rusi. Njerka e tij, Vera Blinken, kishte ikur nga Hungaria komuniste dhe më pas u kishte ndihmuar refugjatëve tjerë që të gjejnë strehë në Amerikë. Ndërsa njerku i tij, Samuel Pisar, i ka mbijetuar katër vite në kampet naciste dhe ishte shpëtuar nga trupat Amerikane.

“Për familjen time, për shumë gjenerata të amerikanëve, Amerika ka qenë literalisht shpresa e fundit në botë”, është shprehur Blinken, përcjell Demokracia.com

I lindur në Yonkers, New York, Blinken rrjedh nga një familje e shërbyesve civilë dhe diplomatëve. I ati i tij, Donald, ka shërbyer në Forcat Ajrore të SHBA-së dhe pastaj si ambasador i SHBA-së në Hungari. Xhaxhai i tij, Alan Blinken, ka shërbyer si Ambasador i SHBA-së në Bruksel.

Njerku i tij, pasi kishte shpëtuar nga Holokausti, ka studiuar në Harvard dhe ka shërbyer si këshilltar i Presidentit Kennedy.

Pasi ka studiuar në Harvard dhe në Columbia, Blinken iu bashkëngjit Departamentit të Shtetit më 1993. Më vonë ka punuar në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e Presidentit Clinton, si dhe në Komisionin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan, ku ka punuar ngushtë me Biden, që atë kohë ishte Senator nga Delaware.

Pas fitores së Obamës, më 2008, Blinken shërbeu si këshilltar për siguri kombëtare i zëvendëspresidentit Biden. Në vitin 2015 ishte emëruar zëvendëssekretar i Shtetit.
Blinken gjithmonë ka thënë se Shtetet e Bashkuara luajnë rol vendimtar në bërjen bashkë të shteteve tjera në përballjen me sfidat globale si ndryshimet klimatike, proliferimi i armëve dhe tash pandemia e Covid-19.

“Ne duhet të punojmë me vendet tjera”, ishte shprehur ai me 24 nëntor. “Na duhet bashkëpunimi i tyre. Na duhet partneriteti i tyre”, tha ai./Demokracia.com

Të ngjashme