Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin e Partisë Socialdemokrate, Adem Megjuanin, i cili dyshohet se gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës, ka sulmuar zyrtarët policorë.
Në këtë protestë lëndime morën 4 policë, ku tre prej tyre kërkuan edhe trajtim mjekësor.
Ndaj Megjuanit është iniciuar rasti si “Sulm ndaj personit zyrtar”, raporton Demokracia.com.
Prokurori ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh ndaj tij.
Më 29 janar 2022, rreth orës 14:30, në sheshin “Skënderbeu” ishte mbajtur protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike e thirrur nga PSD-ja. Gjatë kësaj proteste protestuesit kishin tentuar të hyjnë në objektin e Qeverisë, të cilët ishin ndaluar nga zyrtarët policorë.
Demokracia.com ka mësuar se aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani, e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Në pamjet e publikuara nga mediat, por edhe në rrjete sociale, shihet momenti kur anëtari i PSD-së, Adem Megjuani, e godet në kokë zyrtarin policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare të tij.
Për sulm ndaj personit zyrtar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetim edhe ndaj kreut të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt.
Këtë e ka konfirmuar dje për Demokracia.com edhe zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj. Ajo ka thënë se Molliqaj është nën hetime në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se prokurori i shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe se në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dedikuar kësaj çështjeje”, ka thënë Ulaj.
Molliqaj gjatë një konference për media të hënën kishte thënë se nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar./Demokracia.com/