Aksioni i Policisë së Kosovës në Kaçanik, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit, po vazhdon ende, ndërsa tashmë janë zbardhur detaje të reja lidhur me personat e arrestuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për media se operacioni lidhet drejtpërdrejt me hetimet për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili u ekzekutua pak javë më parë në qendër të Kaçanikut.
Ndërkohë, burime të sigurta të IndeksOnlinet bëjnë të ditur se ndër shtatë persona të arrestuar është edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët dyshohet se i janë bashkuar një grupi të organizuar ekstremist.
Për më tepër, një nga personat kyç të arrestuar është Rejhan Bela, një 18-vjeçar që sipas hetimeve dyshohet si ekzekutori kryesor i rreshterit Lika. Në momentin e kryerjes së krimit, Rejhan Bela ishte vetëm 17 vjeç, por dyshimet janë se vrasja mund të jetë kryer me paramendim dhe si pjesë e planifikimeve të këtij grupi të rrezikshëm.