Vizitat e fëmijëve në Kuvendin e Kosovës në prag të shënimit të përvjetorëve të shpalljes së pavarësisë tashmë janë tradicionale.
Vizita e një grupi fëmijësh në këtë institucion ngjalli reagime të shumta, shkruan Demokracia.com.
Fotografia e fëmijëve të cilët në duar mbanin një broshurë me fotografitë e presidentes së vendit Vjosa Osmani dhe të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, u cilësua si keqpërdorim me fëmijët.
Kjo u krahasua me traditat e më hershme të udhëheqësve komunistë të vendeve të rajonit që dikur detyroheshin të mbanin fotografitë e diktatorëve.
Madje Demokracia.com ka raportuar sot se fëmijëve të cilët vizituan sot Kuvendin askush nuk u foli për 17 Shkurtin dhe historikun e ditës më të rëndësishme për Kosovën.
Analisti Halil Matoshi ka dalë kundër këtij veprimi të cilit ia ka bashkëngjitur një fotografi ku disa fëmijë mbajnë në duar fotografi të diktatorit Hugo Chavez.
Tutje ai ka bërë thirrje që të ndalet abuzimi me fëmijë.
“Test për të rritunit. Kush mundet me gjetë dallimin mes fotografisë 1 dhe 2 ? P.S. Stop abuzimit politik të fëmijëve!”, ka shkruar Matoshi.
Për këtë ka reaguar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila ka thënë se edhe nipi i saj, ka mbajtur në duar fotografinë e Vjosa Osmanit.
Musliu ka thënë se fotot fëmijëve iu dhanë nga administrata e Kuvendit, teksa nga ky institucion thanë se nuk e kanë ditur për këtë.
“Mos i gjykoni mesueset, fotot femijeve ua dhanë administrata e Kuvendit të përkrahur edhe nga dikush tjeter aty. Nuk linin hapsirë për të ju spjeguar asgjë siç ka ndodhë çdo vit, thuajse e kanë pasë obligative vetem te sfilojnë me këto foto. Niipi im me foto të Vjoses. Isha prezent gjatë ceremonisë se fotografimit. Fëmijët janë të pafajshëm mësueset po ashtu. Historinë s’mund ta ndryshoj askush! Gëzuar ditëlindjen e 14-të Kosovë!”, ka shkruar ajo.
E dikur kur në krye të Kuvendit të Kosovës ishte Kadri Veseli fëmijët e shënonin këtë ditë ndryshe.
Veseli i takonte ata personalisht.
Madje në fotografitë e publikuara nga zyra e tij, duket se Veseli edhe luante e argëtohej me të vegjlit.
Pasi fotografia u kritikua shumë, reaguan edhe nga kabineti i kryeparlamentarit Konjufca.
Shefi i kabinetit të kryeparlamentarit të Konnufcës, Ilir Kërçeli, ka shprehur keqardhje për fotografinë që publikoi Periskopi, ku shihen disa fëmijë me fotografitë e politikanëve: presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca.
“Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjes mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tone”, shkruan z.Kërçeli.
Shkrimi i plotë:
Në këtë foto po shihen fëmijët duke mbajtur fotografinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes.
Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike.
Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit.
Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë.