Lajme
Kuvendi nis seancën solemne nën tingujt e Ilir Shaqirit dhe Shkurte Fejzës
Demokracia
11:01 | 05 Mars 2024

Share:

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën tingujt e këngëtarit Ilir Shaqiri me këngën “Sërish Vjen Marsi”, dhe këngtares Shkurte Fejza “Mora Fjalë”.

Kjo seancë ka nisur edhe me intonimin e himneve shtetërore e kombëtare dhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës.

I pranishëm në këtë seancë është edhe Rifat Jashari dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme