Lajme
Rrahje mes deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë
Demokracia
17:16 | 30 Tetor 2023

Share:

Me tensione shumë të larta ka nisur sërish seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ku opozita është shfaqur e vendosur për të bllokuar sërish foltoren e Parlamentit.

Në debat janë përfshirë deputetë të shumtë nga radhët e Partisë Demokratike, të cilët nuk e kanë lejuar të nisë normalisht seanca.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, me kërkesën për të vendosur qetësi e rend në sallë, ka filluar t’i japë fjalën deputetëve të mazhorancës, për të ngritur shqetësimet e qytetarëve në seancën plenare.

Kjo, duke folur nga vendi dhe jo nga foltorja e Parlamentit.

Pavarësisht kësaj, deputetët e opozitës kanë kërkuar sërish të ndalin fjalën e kolegëve të tyre socialistë, duke ndërhyrë te mikrofoni i deputetit Vullnet Sina.

Seanca menjëherë është ndërprerë ndërkaq pas një përplasjeje fizike mes ligjvënësve shqiptarë.

Koti flet për AP

Të hënën e 30 tetorit, Kuvendi bëri një kthesë sa i takon vendimit për deputetët opozitarë.

Kjo, pasi një pjesë e këtyre të fundit kanë qenë të përjashtuar nga seanca e fundit.

Megjithatë në një shkresë drejtuar Gardës, Kuvendi ka urdhëruar pjesëmarrjen e gjithë deputetëve.

Lidhur me këtë çështje, deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti është shprehur për Albanian Post se përjashtimi i tyre ishte i paligjshëm.

Kjo, pasi “përfundonte më 29 tetor”.

“Ne njoftuam Kuvendin që do merrnim pjesë dhe rritja e presionit bëri tërheqjen e vendimit. Ata ishin në shkelje”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se seancën e kaluar, një numër i madh i deputetëve të opozitës bllokuan krejtësisht foltoren e Parlamentit, duke bërë kështu të pamundur nisjen e seancës plenare, të parashikuar në rend dite.

Kjo përplasje e ashpër dhe aksin i opozitës, erdhi në çfarë arsyetohej nga vetë ata, si pasojë e bllokimit që mazhoranca socialiste i ka bërë Komisioneve Hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Për këtë, Koti bën me dije se “deri sa Parlamenti të kthehet në ligjshmëri nuk do ketë zhvillim normal të seancave”.

Gjithashtu, kritika shumë të mëdha nga radhët e opozitës ka pasur kundrejt Qeverisë dhe shumicës parlamentare, pasi sipas demokratëve, ata nuk po respektojnë vullnetin e pjesës më të madhe të PD-së, lidhur me kryetarin e Grupit Parlamentar.

Sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga Lulzim Basha.

Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit u konsiderua si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.

Ndërsa, lideri opozitar, Sali Berisha, menjëherë pas zënies së foltores dhe karrigeve të ministrave nga ana e deputetëve që e mbështesin atë, ka filluar nga foltorja e Parlamentit një komunikim të drejtpërdrejtë në platformën Facebook.

“Do vazhdojmë, është fillimi i rezistencës. Fillimet e një rezistence që nuk do ndalet më, kaq është e gjitha”, tha ai menjëherë pas daljes publike.

Teksa akuza shumë të forta ngriti edhe ndaj zëvendëskyretares së Parlamentit, Ermonela Felaj, e cila pavarësisht bllokimit po kërkonte të vinte rendin në seancë.

Berisha, me një gjuhë të ashpër, deklaroi se Felaj nuk mundet të flasë për këto çështje, pasi është “turpi i Shqipërisë, i Ballkanit dhe i Evropës”.

“Ke futur 5 familjarë në Prokurori”, iu drejtua ai Felajt. “Kjo ka pasur burrin të marrë peng nga bandat, se vendoste gjoba si prokuror”.

Ndërsa, vetë Felaj, deklaroi se do të kërkojë menjëherë marrjen e masave për të gjithë deputetët, të cilët shkaktuan trazira në Parlament dhe nuk lejuan mbajtjen e rregullt të seancës.

Të ngjashme