Lajme
Kuvendi nesër me seancë të jashtëzakonshme lidhur me rritjen e çmimeve
Demokracia
13:27 | 14 Mars 2022

Share:

Nesër (e martë) duke filluar në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me një pikë rendi të ditës që është debat parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve.

Këtë e ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila tha se në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit mori disa vendime që janë obligime kushtetuese ose kompetencë e tij.

“Kemi një kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës për debat parlamentar i cili mbahet nesër në ora 11:00 për rritje të çmimeve dhe situatën aktuale të krijuar. Ndërsa kryetari i Kuvendit caktoi seancën tjetër ditën e mërkurë e cila do të përfshijë vazhdimin e trajtimit të pikave të pa përmbyllura nga seancat e më hershme”, ka njoftuar Kusari Lila.

Për një seancë të re të rregullt, Kusari Lila tha se mbetet të shihet në mbledhjen e radhës së kryesisë së Kuvendit.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në emër të opozitës e ka thirrur këtë debat parlamentar.

“Duke parë gjendjen e rëndë me çmime, ne keni propozuar disa iniciativa siç është çështja e trustit, shumë e nevojshme që qytetarët e Kosovës të arrijnë të marrin një pjesë të trustit që të përballen me gjendjen e rëndë me këtë rritje të çmimeve”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Një ndër pikat që ajo ka propozuar në mbledhjen e kryesisë është edhe rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale.

“Si pikë e dytë ka qenë rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale, e kemi konsideruar si të nevojshme të sjellim projektligjin për  rregullimin e çmimit të barnave që është mirëpritur nga komiteti farmaceutik në Kosovë, që lehtëson përballjen e qytetarëve me çmime të larta në vend”, ka thënë Deliu Kodra.

Deputetja e PDK-së gjithashtu shtoi se e kanë parë të arsyeshme të thirret  një debat në lidhje me politikën e jashtme e cila siç ka thënë ajo “është në gjendjen më të rëndë që Kosova e ka pasur ndonjëherë”.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se në fund të debatit do të prezantojnë një rezolutë në mënyrë që të nxirren detyra të qarta për Qeverinë e Kosovës.

“Me iniciativën e LDK mbështetur nga opozita, ka një rritje të çmimeve bazike dhe kemi kërku një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar këtë problem dhe në fund do të propozojmë nje rezolutë të Kuvendit të Kosovës i cili do të duhet të miratonte, në mënyrë që do të nxjerrtë obligime konkrete dhe detyra të qarta për Qeverinë e Kosovës sepse jemi dëshmitar që Qeveria është shndërruar si spektatore”, ka thënë Selmanaj.

Të ngjashme