Lajme
Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë, ekspertët dhe opozita e kundërshtojnë
Demokracia
16:58 | 25 Prill 2024

Share:

Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur të enjten, ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligji për Zyrtarët Publikë. Pas miratimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë nga ana e qeverisë, ekspertët patën thënë se është në kundërshtim me parimet moderne të Administratës Publike dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, ka pasur reagime edhe nga partitë opozitare, duke paralajmëruar se do ta dërgojnë përsëri në Kushtetuese, shkruan Demokracia.com.

Siç është raportuar, ekzekutivi nuk i ka përfshirë fare vërejtjet e Gjykatës të Kushtetueses dhe rekomandimet e BE-së në lidhje me këtë nismë ligjore. Tashmë dy parti opozitare, PDK dhe AAK, kanë paralajmëruar se do të marrin masa në lidhje me këtë porjektligj.

Para pak ditësh PDK e ka quajtur miratimin e këtij projektligji si “skandaloze”. Në një konferencë për medie, Përparim Gruda, zyrtar i lartë i PDK-së, u shpreh se Qeveria Kurti nuk i ka përfshirë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ajo që ka ndodhur është skandaloze, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar, është shpërfillur në tërësi nga Qeveria…Kjo kështu nuk ka asnjë kuptim sepse dispozitat e Ligjit bazik për Zyrtar publikë Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese dhe ato pozita nuk mund të konsiderohen me mandat. Me këtë akt, Qeveria Kurti dëshiron të mbush administratën e shtetit me militantët e saj partiak, siç ka bërë deri tani, ta politizoj atë dhe të zbatojë politika në mënyrë tërësisht jo kushtetuese dhe në shkelje të plotë të aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte vendosur për këtë rast.” – u shpreh ai.

Tutje, Gruda paralajmëroi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të këtij projektligji, nëse ai miratohet në Kuvend.

“Ata duan të ja nënshtrojnë kushtetutën dhe rendin kushtetuese vullnetit dhe bindjeve të tyre politike. Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta lejoj këtë arbitraritet. Nëse ky ligj miratohet në kuvend më këtë përmbajtje, ne do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetues. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalë këto veprime jokushtetuese, këto sulme ndaj kushtetutës dhe rendit kushtetuese të Kosovës, dhe të angazhohet për reformat e administratës publike për të cila Kosova ka aq shumë nevojë.” – ka shtuar Gruda.

Në një linjë të ngjashme kritikash është edhe AAK-ja, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës. Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, kritikoi Qeverinë Kurti për miratimin pa asnjë consult të kësaj nisme ligjore.

“Qeveria dje ka votuar ligjin për zytarët publikë, pas asnjë konsultim, pa përfshirjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian, për rrjedhojë pa trajtimin e kërkesave që kanë dalë nga aktvendimi i Gjykatës Kushtuese. Kemi analizuar këtë ligj, dhe kemi dalë më 10 pika, në mënyre që të ndalet kapja e shtetit”, ka thënë ai.

Duke folur në emër të AAK-së, Tahiri paralajmëroi dërgimin e këtij projektligji në Gjykatën Kushtetuese.

“Është tepër e qartë se përmes një procesi jo-transparent ligjor dhe të mbyllur për publikun po synohet kapja e administratës së shtetit dhe partizimi i shërbimit civil. Ne nuk do ta lejojmë këtë dhe se do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese brenda afateve ligjore”, është shprehur Tahiri, raporton Demorkacia.com.

Por, për këtë ka pasur reagime të shumta si nga shoqëria civile e po ashtu edhe nga partitë opozitare. Ema Pula, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Radio Kosovën se e gjithë procedura e miratimit të këtij projektligji ka qenë jo transparente. Ajo theksoi se një proces i tillë është realizuar në heshtje të plotë duke mos u përfshirë akterët dhe në kundërshtim me rregullat dhe parimet për konsultime publike, pasi i njëjti nuk është publikuar në platformën për konsultime publike.

“Rrjedhimisht palët e treta nuk kanë pasur fare informacion mbi ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga ana e Qeverisë. E për sa i përket përmbajtjes, projektligji jo vetëm që nuk ka ndjekur aktgjykimin apo urdhrin e përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i njëjti po ashtu bie ndesh me parimet moderne të administratës publike. Kjo duke filluar me faktin që ky projektligj përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike, e që është në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD”, ka thënë ai. Sipas Pulës, shqetësuese mbetet edhe fenomeni i ushtruesve të detyrës.

“Zgjatja e afatit deri në dy vjet për ushtruesit e detyrës, është tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm. Madje i njëjti ka parashikuar mekanizmin që brenda vetëm një muaji të përshtaten vendimet për ud-të aktualë, në mënyrë që të vazhdohet kjo praktikë. Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku dy kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë”, ka thënë ai.Pula, paraqiti edhe disa shqetësime të tjera, derisa i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit që të fillojnë një proces të ri të hartimit të politikave të shërbimit publik në përputhje me parimet moderne për administratë publike.

Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë për Radio Kosovën se kanë ndjekur praktikat më të mira evropiane për sa i përket këtij projektligji, derisa komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese pikën esenciale të cilën e ka rrëzuar në aktgjykimin e 12 shtatorit, thotë që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarë Publikë, ata që rekrutohen tash e tutje, rekrutohen me mandat të caktuar, por ata që janë tashmë në ato pozita ju betonohet edhe më tutje ai privilegj, që është qartazi padrejtësi ndaj të tjerëve dhe mbesin të tillë. Më futjen e mandateve të gjithë e kanë një mundësi që të ngritën në karrierë. Me ligjin e ri, atë të vitit 2022, pozitat që tani shpallen janë me mandat, pra, është një mundësi për kandidatët e rinj që të promovohen në karrierë dhe janë me mandate”, ka thënë Dobra.

Por, i shqetësuar është shprehur Ali Sefaj, përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë. Ai ka thënë për Radio Kosovën se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore, me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të administratës.

“Kjo bie ndesh me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese e veçmas krijon pasiguri juridike dhe krijon mundësi arbitrariteti, duke pretenduar ta kapin administratën dhe të rrënojnë atë që është arritur në administratën shtetërore tash e njëzet vjet. Ne do të bëjmë përpjekje që edhe nëpërmjet deputetëve ta dërgojmë kërkesën në komisionin përkatës parlamentar. E në rast se nuk do të ketë përfillje, kërkesën do ta dërgojmë tek Avokati i Popullit që e njëjta të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi janë paraparë që të ndryshohen disa nene e që fatkeqësisht krijohet mundësia e arbitraritetit”, ka thënë Sefaj.E ndërkohë kanë reaguar edhe partitë opozitare.

Në gusht të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur kundërkushtetuese disa nene të këtij ligji. Kushtetuesja i kishte hapur rrugë dekretimit të këtij ligji, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën. Po ashtu, sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese e kishte obliguar Kuvendin që në afatin prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit në raport me nenet e shfuqizuara nga kjo gjykatë. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2022, LDK dhe PDK e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publikë. Këto parti vlerësuan se Ligji kishte një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim kishte nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.

Pas kundërshtimeve të partive opozitare në vitin 2022, pati reaguar edhe Bashkimi Evropian, derisa pat theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre. Nga BE-ja kanë thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike e po ashtu do të mund të rivlerësojnë ndihmën e tyre në këtë fushë.

“BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë ligj pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”, është thënë në reagimin e BE-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme