Lajme
Kuvendi jofunksional| Gjatë javës dështuan dy seanca, gishti drejtohet nga LVV-ja
Demokracia
13:44 | 15 Prill 2023

Share:

Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave kishte planifikuar t`i mbante dy seanca plenare. Për shkak të mungesës së kuorumit të dy seancat kanë dështuar. Seanca e të mërkurës ishte mbyllur brenda pak minutave, meqenëse në të merrnin pjesë vetëm 44 deputetë. Kurse, seanca e të enjtes ndonëse zgjati disa orë, ajo u mbyll pa u votuar asnjë projektligj.

Në këtë mënyrë, organit legjislativ edhe gjatë vitit 2023 po i përsëritet dukuria e vitit të kaluar, mungesa e kuorumit për shumë seanca.

Një gjë e tillë po shihet me shqetësim nga shoqëria civile dhe opozita.

Hulumtuesi i KDI-së, Arbër Thaçi, i cili monitoron punën e Kuvendit ka thënë për gazetën Nacionale se mungesa e kuorumit paraqet një nga çështjet themelore dhe të përhershme, me të cilat përballet Kuvendi i Kosovës.

“Ky problem vazhdueshëm e ka shoqëruara punën parlamentare, mirëpo rritja e seancave që dështojnë për shkakun e mungesës se kuorumit është shqetësuese, posaçërisht kur kemi parasysh ngarkesën që kjo praktikë i shkakton agjendës parlamentare – edhe ashtu të ngarkuar. Rastet e dështimeve si këto, ngarkojnë edhe më tepër agjendën parlamentare, në këtë formëdëmtojnë procesin e trajtimit të projektligjeve dhe iniciativave ligjore në javët në vazhdim, meqë koha për t’i dhënë trajtim meritor lëndeve zvogëlohet. KDI, në raportet e saja rreth punës së Kuvendit, ka kritikuar normalizimin e kësaj dukurie, duke vënë në pah mungesën e përgjegjshmërisë së deputetëve”, ka thënë ai.

Thaçi ka bërë me dije se më se shumti përgjegjës për këto dështime është partia në pushtet.

“Fillimisht, përgjegjësia për dështimin e seancave për mungesën e kuorumit është individuale dhe rëndon mbi çdo deputet. Deputetët si përfaqësues të drejtpërdrejt të mandatit popullor kanë për detyrë dhe janë të obliguar të marrin pjesë në punimet e Kuvendit – këtë gjë e saktëson Rregullorja e Kuvendit, tek shpjegon përgjegjësitë e deputetëve. Porse, në rrethanat ekzistuese, derisa brenda Kuvendit ka një shumicë të konsoliduar, prania e të cilës varet nga vullneti i tyre, përgjegjësia në një masë të shtuar bie mbi partinë që përfaqëson këtë shumicë, në këtë rast Vetëvendosjen. Kësisoj, përgjegjës për dështimin e seancave është çdonjëri deputet, veçanërisht ata të koalicionit që përfaqësojnë shumicën parlamentare”, është shprehur ai.

Duke e komentuar punën e kuvendi për vitin 2023, ai ka thënë se ky institucion një pjesë të madhe të kohës e ka shpenzuar duke u marrë me iniciativave dhe projektligjeve të mbetura nga viti i kaluar. “Puna e Kuvendit, gjatë këtij çereku të vitit 2023mund të përshkruhet si jo e mjaftueshme, meqenëqë rendimenti edhe në kuptim të cilësisë së trajtimit edhe të sasisë ka lënë për të dëshiruar. Përgjithshëm, Kuvendi është sfiduar nga problemet e zakonshme – tërësisht të njohura – sikurse: mungesa e kuorumit, agjenda të ngarkuara të seancave, trajtime jo të mjaftueshme të projektligjeve,mungesa e një qasje llogarikërkuese kundrejt ekzekutivit”, ka vlerësuar Thaçi.

Opozita drejtonin gishtin nga pushteti

Përfaqësuesit e partive opozitare janë shprehur të shqetësuar për dështimin e seancave parlamentare. Ata kanë bërë me dije se faji për mungesë të kuorumit është te partia në pushtet.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sjellja e mazhorancës në raport me organin më të lartë legjislativ në vend është joserioze.

“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura. Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, partia në pushtet po sillet sipas interesave të saj partiake.

“Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese. Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve”, ka shkruar ai.

Pas dështimit të seancës të së enjtes, të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

“Në mungesë të kuorumit edhe sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës. Kjo qasje e shumicës parlamentare është e papranueshme, është papërgjegjësi e kësaj shumice që po stagnon punën e legjislativit. Aq më tepër kur në radhë për trajtim janë pika të mbetura që nga sesioni vjeshtor, zgjedhje bordesh të institucioneve të pavaruara e shumë raporte të këtyre institucioneve”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Edhe vitin e kaluar Kuvendit i Kosovës është përballur me problemin e njëjtë. Si rezultat i kësaj, dhjetëra pika dhe çështje që nuk janë trajtuar vitin e kaluar janë bartur për shqyrtim në sesionin e ri të Kuvendit, i cili ka filluar këtë vit.

Të ngjashme