Lajme
Kuvendi i KMShK-së mori vendim për 18 ankesa
Demokracia
12:04 | 28 Maj 2025

Share:

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 18 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen katër nga to, dy të miratohen pjesërisht, pesë të refuzohen, tri të shpallen të paafatshme dhe tri të tjera të pajtrajtueshme.

Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitulli VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

KMShK ka miratuar ankesën e Bujar Gucit, përfaqësuar nga Inlex Law Firm kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: Pronari i ‘Unisolar’ bie pre e mashtrimit dhe humb 190 mijë euro – Sinjali sjellë detajet”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.

KMShK ka miratuar ankesën e Elvina Dushaj-Osmanit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Sulm fizik në rrugën ‘Tranzit’ – një i lënduar dhe dy të ndaluar për 48 orë në Prizren”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë.

KMShK ka miratuar ankesën e Enver Krasniqit, përfaqësuar nga avokati Jeton Idrizi, kundër Paparaci.com për shkrimin me titull “Vëllai i zyrtarit të AAK-së ‘trashëgon’ pozitën e ish-zyrtarit të UDB-së në Ministrinë e Drejtësisë”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

KMShK ka miratuar ankesën e Resa Krasniqit kundër Indeksonline.net për shkrimin me titull “Kjo është gruaja e plagosur në Prishtinë, burri i saj humbi jetën nga plagët”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt VI dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me trajtimin e tragjedive personale, përkatësisht privatësinë.

KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Lekë Nikollbibajt kundër Sinjali.com, Klankosova.tv, Gazetaprishtina.info dhe Kosovapost.net për shkrimet me tituj “Ekskluzive: Ky është profesori i Fakultetit Filozofik që u kap me drogë në Prishtinë”, “Profesori i UP-së, Lekë Nikollbibaj, kapet me drogë”, “Pamje ekskluzive të profesorit duke konsumuar drogë në ballkonin e banesës”, “Pamje ekskluzive të profesorit të UP-së, Lekë Nikollbibaj, duke konsumuar drogë në ballkonin e banesës me ish-studenten e tij, Shkëndije Berisha”, duke konstatuar se janë shkelur pjesërisht kapitujt II, IV dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht privatësinë.

KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Xheneta Syka-Kelmendit, përfaqësuar nga avokatja Erina Berisha, kundër Pejanefokus.net për një seri shkrimesh, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli VII, i cili ka të bëjë me privatësinë.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Ardian Eminit kundër Kallxo.com për shkrimin me titull “Profesorët e Universitetit të Gjilanit kapen mat duke mashtruar me prezencën në fakultet”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Postës dhe Telekomit të Kosovës kundër Demokracia.com për shkrimin me titull “Telekomi i Kosovës vazhdon të derdh miliona për 5G, pas kontratës 15 milionëshe me kompaninë kroate, nënshkruan edhe 1.3 milionë euro pa garë”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Postës dhe Telekomit të Kosovës kundër Insajderi.org për shkrimin “Krimet e rënda zbarkojnë në Telekom, intervistohet Burbuqe Hana”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjnë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e KOSOVAMED Healthcare Sh.P.K. kundër Insajderi.org për shkrimin titull “AVONET: Komuna e Gjilanit nënshkruan kontratë prej gjysmë milioni euro me operator që dorëzoi referenca të rreme, kërkohet hetim urgjent dhe shkëputje kontrate”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Shkelqim Millakut kundër Klankosova.tv për shkrimin me titull “Ekskluzive: Plas sherri në Universitetin e Prizrenit, profesori Millaku denoncohet për kërcënim nga kolegia”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK i ka shpallur të paafatshme tri ankesa: ankesën e Blerina Hoxha-Gjurajt kundër Nacionale.com për disa shkrime dhe video, ankesën e Jeton Ukësmajlit kundër Botasot.info, Arbresh.info, Koha.net, Albanianpost.com, Insajderi.org, Paparaci.com, Zëri.info, Demokracia.com, Kosova.info për disa shkrime dhe ankesën e Isak Kukajt kundër Sinjali.com për shkrimin me titullin “U arrestua për dhunë në familje dhe armë ilegale, ky është i riu që përfundoi në prangat e policisë në Prizren”.

Po ashtu, KMShK i ka shpallur të patrajtueshme katër ankesa: ankesën e Blerina Hoxha-Gjurajt kundër Nacionale.com për disa postime në rrjetet sociale, ankesën e Naim Mehmetit, përfaqësuar nga avokati Granit Hadërgjonaj kundër Indeksonline.net për shkrimin me titull “Konfiskohet pasuria nga Gjykata e të pandehurit …”, ankesën e Nuray Çürt Aşıkferki kundër Klan Kosova, për të cilën udhëzohet t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe ankesën e Duda Baljes, përfaqësuar nga avokatja Nora Huseinovic, kundër Kosova.info për shkrimin me titull “Duda Balje ka rreth gjysmë milioni euro në llogarinë e saj bankare”.

Të ngjashme
Lajme • 29 Maj 2025