Lajme
Kushtetuesja publikon vendimin e plotë për Ligjin e Pagave | Si u zbuluan dredhitë e Qeverisë Kurti, duke favorizuar vetën me lartësinë e shtesave? (Dokument)
Demokracia
09:49 | 24 Janar 2024

Share:

Më 9 shkurt të vitit 2023, në orën 20:00, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, me votat e partisë së tij, Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës kaloi ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Kundërshtimet e deputetëve opozitarë nuk u morën parasysh.

Në mesin e 6 amandamenteve të propozuara, ishte edhe ai për nenin 15, me anë të të cilit, Qeveria e Kosovës po krijonte një derë për të hyrë në Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, e cila do t’i jepte fund “barazisë dhe ndershmërisë” të proklamuara nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Neni 15A, që do t’i bashkangjitej Ligjit për Buxhet, do t’ia ndihmonte edhe më shumë qëllimit të nenit 24 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Këto dredhi të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij kur bëhet fjalë për lartësinë e shtesave që do të mund të përfitonin zyrtarët për punën e tyre janë zbuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka shqyrtuar Ligjin e Pagave në Sektorin Publik dhe më 23 janar 2024 ka pubikuar Aktgjykimin e plotë.

“DREDHIA 1 – NENI 24”

Gjykata Kushtetuese ka zbuluar dredhinë e Qeverisë së Kosovës kur bëhet fjalë për shtesat që do të përfitojnë zyrtarët për punën e tyre. Në këtë mënyrë, vetë kryeministri Kurti mund të përfitojë më shumë të ardhura nga shtesat se çdo udhëheqës i institucionit të pavarur kushtetues apo institucioneve të tjera. Njëjtë mund të thuhet edhe për zyrtarët e tjerë të Qeverisë në krahasim me zyrtarët e institucioneve të tjera.

Kjo gjë bëhet e mundur përmes nenit 24 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Sipas pikës 2 të këtij neni, “Fondet e përdorura në çdo institucion për shtesën për kushte tregu të punës, nuk mund të jenë më të larta se 0.5% e fondeve totale të përdorura nga institucioni, për pagën bazë të zyrtareve/ëve në të njëjtin vit fiskal”.

Vetëm një pikë më vonë, në pikën 3, Qeveria e Kosovës e ka përjashtuar vetën nga rregullimi i mësipërm.

“Për qëllim të zbatimit të këtij neni, Qeveria e Republikës së Kosovës do të trajtohet si një (1) organizatë buxhetore”, thuhet në ligj.

Ky nen e favorizon Qeverinë e Kosovës, jo vetëm në raport me institucionet e pavarura kushtetuese, por me çdo instutucion tjetër në Republikën e Kosovës.

Kjo do të thotë se 0.5% ka vlerë tjetër në një institucion që mund të llogarisë më pak se 100 punëtorë, pasi rrjedhimisht edhe lartësia e fondeve totale për paga që përdor ai institucion është shumë më e ulët, qindra-mijëra euro në krahasim me Qeverinë e Kosovës, e cila ka në radhët e veta me dhjetëra-mijëra të punësuar, e bashkë me këtë edhe fondet totale që i përdor për pagat kalojnë miliona euro brenda një viti fiskal.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se meqenëse fondet e tërësishme që Qeveria disponon “janë pakrahasimisht më të larta se ato të institucioneve të pavarura kushtetuese, Qeveria vihet në pozitë më të favorshme krahasur me institucionet tjera”.

Kjo dredhi është kapur nga Gjykata Kushtetuese, e cila sipas njoftimit të publikuar më 26 dhjetor 2023, ka konstatuar se “nuk është në përpuhje me granacinë kushtetuese për pavarësinë institucionale të tyre dhe me ekuilibrin e ndërveprimit ndër-pushtetesh”.

“Qeveria do të trajtohet si një (1) organizatë buxhetore dhe duke marrë parasysh që fondet e tërësishme që e njëjta i disponon janë pakrahasimisht më të favorshme sesa ato të institucioneve të pavarura kushtetuese, Gjykata nuk mund të mos vë në pah që Qeveria vihet në pozitë diametralisht më të favorshme krahasuar me institucionet tjera”, thuhet në Aktgjykimin e plotë.

“DREDHIA 2 – NENI 15A”

“Neni 15/A – Autorizohet Ministri që sipas nevojës me vendim të bëjë ngritjen e tavanit të shtesave dhe kompensimeve të përcaktuara me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, për vitin fiskal 2023”.

Ky është neni thelbësor i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e 9 shkurtit 2023, mbajtur në orët e mbrëmjes.

Ky nen përbën edhe skandalin e fshehur në procesin e hartimit të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, pasi që i është mundësuar Qeverisë që të tejkalojë tavanet e shtesave dhe kompensimeve të përcaktuara në ligjin e kontestuar, me vendim të ministrit.

Siç mund të vërehet nga Aktgjykimi, kjo gjë është vërejtur nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka konstatuar se “Kjo praktikë e ndryshimit të tavaneve buxhetore përmes amendamentimit të një ligji tjetër, e cila ekskluzivisht vlen vetëm për ministritë përkatëse të Qeverisë, jo vetëm që krijon paqartësi dhe paparashikueshmëri përkitazi me ligjin e aplikueshëm në rendin kushtetues, por gjithashtu vendosë institucionet e pavarura kushtetuese në pozitë diametralisht më të pafavorshme në raport me (i) Qeverinë, e cila ka përcaktuar bazën ligjore mbi të cilën mund të tejkalojë tavanet buxhetore për qëllime të shtesave dhe kompensimeve me vendim të ministrit të ministrisë përkatëse”.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik është ligji i radhës i Qeverisë Kurti, i zhvlerësuar në shumë nene nga Gjykata Kushtetuese. /Demokracia.com/

Të ngjashme