Në media po raportohet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe se për të njëjtin ka gjetur se ka shkelje kushtetuese.
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se një raportim i tillë është i pasaktë dhe se Ligji në fjalë është ende nën shqyrtim në Kushtetuese.
“Informatat e publikuara sot në disa portale përkitazi me vendimmarrjen e Gjykatës në këtë rast janë të pasakta. Gjykata nuk ka vendosur ende lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjykata është duke e trajtuar këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, ka thënë Dula.
Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar gjatë vitit të kaluar këtë ligj në Kushtetuese.
Deputeti Abelard Tahiri kishte deklaruar se ky Ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës.
“Konsiderojmë se ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetuese të Kosovës. Besojmë se argumentimet të cilat i ka sjellë PDK-ja, konsiderojmë që janë të mjaftueshme”, kishte thënë Tahiri në korrik të 2022.