Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës po cilësohet si “triumf i madh” brenda radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke tentuar ta projektojnë kalimin e tij si “sukses politik”. Megjithatë, kalimi i këtij ligji nga Kushtetusja, i rrëzuar në vitin 2023 për një sërë shpërputhjesh me aktin më të lartë juridik, vjen vetëm pas harmonizimit me rekomandimet përkatëse në vitet pasuese.
Për katër vite të plota, një numër i madh ligjesh të propozuara dhe miratuara nga kjo qeveri u rrëzuan nga Kushtetuesja, e cila i shpalli ato të papajtueshme me aktin më të lartë juridik të vendit. Kjo bëri që sullmet ndaj këtij institucioni të marrin trajtë të paprecedentë, duke vënë në dyshim jo vetëm vendimet, por edhe legjitimitetin e saj si institucion i pavarur.
Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, shkoi deri aty sa të cilësonte Kushtetuesen si një “opozitë politike”, ndërsa e akuzonte atë se vendimet e saj nuk burojnë nga “motivi i ruajtjes se kushtetueshmërisë”. Absurdi i kreut në detyrë të ekzekutivit shkonte deri sa t’i ftonte gjyqtarët e këtij institucioni të garonin në zgjedhje.
Ndërsa Kushtetuesja i dha sot një tjetër goditje qeverisë në largim, duke ia rrëzuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, anëtarët e qeverisë në detyrë e gjetën ngushëllimin diku tjetër; tentimin për të kapitalizuar politikisht kalimin e Ligjit për Këshillin Prokuroria të Kosovës, ligji të cilit iu dha drita e gjelbër vetëm pas adresimit të shkeljeve kushtetuese ne versionin paraprak të tij.
“Gjykata Kushtetuese sot i dha dritën e gjelbër reformës së madhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Angazhimi dhe përpjekja jonë për një reformë rrënjësore në sistemin prokurorial, më në fund po merr drejtimin e merituar.” – shkroi mes tjerash ministrja në largim e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Adresimet e shkeljeve kushtetuese në hartimin fillestar të këtij ligji, Haxhiu i quajti “sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa.”
“Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë.” – shkroi mes tjerash, deputetja e VV-së dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ligji për KPK, në versionin e tij fillestar, ishte rrëzuar më parë nga vetë Gjykata Kushtetuese për shkelje të dispozitave kushtetuese.
Pas këtij dështimi, projektligji iu nënshtrua një procesi të rishkrimit, ku u adresuan pothuajse të gjitha rekomandimet që KDI kishte prezantuar gjatë kohës sa ligji po shqyrtohej nga komisioni.
“Në seancën e sotme, Kuvendi me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim 𝐦𝐢𝐫𝐚𝐭𝐨𝐢 𝐏𝐫𝐨𝐣𝐞𝐤𝐭𝐥𝐢𝐠𝐣𝐢𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐞̈𝐬𝐡𝐢𝐥𝐥𝐢𝐧 𝐏𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐚𝐥 𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐬👏 Projektligji i miratuar ka adresuar pothuajse të gjitha rekomandimet që #KDI kishte prezantuar gjatë kohës sa ligji po shqyrtohej nga komisioni. Këto rekomandime janë në përputhje edhe me opinionin e fundit të Komisionit të Venecias. KDI kishte përkrahur diskutimet duke ofruar platforma e punëtori me akterë të ndryshëm.” – shkruante KDI.