Lajme
Kush janë “vëzhguesit” serbë të zgjedhjeve ruse në Ukrainë?
Demokracia
14:39 | 15 Shtator 2023

Share:

Avokati nga Beogradi, Goran Petronijeviq, i cili përfaqësonte të dënuarin për krime lufte, Radovan Karaxhiq, në Hagë, ishte “vëzhgues” në zgjedhjet e organizuara së fundmi nga Rusia në territoret e okupuara ukrainase.

Në mesin e vëzhguesve ishte edhe Sërxhan Perishiq, ish-këshilltar i presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik.

Ambasada e Ukrainës në Serbi njoftoi se Kievi zyrtar do të “sjell para drejtësisë” të gjithë ata që morën pjesë në çfarëdo mënyre në zgjedhjet e organizuara nga Rusia në territorin e atij vendi.

Zgjedhjet, të cilat Kievi zyrtar dhe Perëndimi i konsiderojnë të paligjshme, u mbajtën nga 8 deri më 10 shtator në Zaporizhja, Herson, Donjeck dhe Luhansk, territore ukrainase të kontrolluara nga Rusia.
Informacioni se Goran Petronijeviq dhe Goran Shimpraga ndodhen në Zaporizhja e publikoi për herë të parë më 10 shtator Dejan Beriq, një shtetas i Serbisë në kanalin e tij në Telegram. Ai luftoi si snajperist në anën e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, për të cilin ai po gjykohet në mungesë në Serbi.

“Goran Petronijeviq dhe Goran Shimpraga u gjendën në vendin ‘më të nxehtë’, në Zaporizhja, afër vijës së frontit”, ka deklaruar ndër të tjera në kanalin Telegram Beriq, i cili ndërkohë ka filluar të prezantohet si reporter lufte.

Një ditë më vonë, më 11 shtator, Sërxhan Perishiq, profesor në Fakultetin Filozofik në Sarajevën Lindore dhe ish-këshilltar i Milorad Dodikut kur ai ishte anëtar i Presidencës së BeH, i tha agjencisë nga Bosnja, SRNA, se ai kishte vizituar qendrat e votimit në Novoazovsk, Mariupol dhe Donjeck si vëzhgues.

Në rrjetin social X (ish-Twitter) ai ka publikuar dy fotografi, në të cilat pozon me parzmore dhe helmetë, me përshkrimin: “Në një vizitë në Donbas”.

&nbs

p;

Në mesin e vëzhguesve nga Serbia ishte edhe Goran Shimpraga, i cili prezantohet si gazetar dhe producent nga Beogradi.

Ai u mburr në rrjetin social Vkontakte, ekuivalenti rus i Facebook-ut, se kishte ndjekur zgjedhjet në rajonin e Zaporizhjas në Ukrainën jugore.

“Bisedë e ekspertëve ndërkombëtarë me Ela Panfilova, presidente e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Federatës Ruse”, shkroi Shimpraga më 11 shtator në përshkrimin e disa fotografive ku shihet duke shtrënguar duart me Panfilovën.

Ai, gjithashtu, publikoi një video nga një takim, në të cilin vëzhgues ndërkombëtarë morën pjesë në një bisedë me presidentin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë

Në videon pesëminutëshe, Shimprag në gjuhën ruse vlerëson procesin zgjedhor të zhvilluar nga Federata Ruse, duke thënë ndër tjerash se zgjedhjet janë organizuar “sipas standardeve kombëtare”.

“Kur flasim për këto zgjedhje, mendoj se Rusia është një nga vendet e pakta që është në gjendje të organizojë zgjedhje të tilla”, tha Shimpraga.

Në video shihet i ulur pranë tij Goran Petronijeviq.

Kush janë vëzhguesit serbë?

Nga tre vëzhguesit, Goran Petronijeviq është më i njohur për publikun e gjerë.
Gjatë regjimit të ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ai ishte gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Pejë, Kosovë. Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai dënoi rreth 150 shqiptarë nga Kosova me gjithsej 1.600 vjet burgim për krimin e dyshuar të terrorizmit.

Ai u hoq nga posti i gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas kaloi të ushtronte profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai përfaqësoi disa klientë nga Serbia të akuzuar për krime lufte. Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai mbrojti gjithashtu ish-oficerin e JNA-së, Veselin Shlivançanin, i cili u dënua për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq njoftoi se kishte paraqitur një iniciativë për të mbrojtur Milorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

Në biografinë zyrtare të Sërgjan Perishiqit, ndër të tjera thuhet se ai ka diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe ka magjistruar dy gradë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Ai është profesor i asociuar në Fakultetin Filozofik në Sarajevën Lindore, ligjërues i ftuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe anëtar i ekipit hulumtues të Institutit për Studime Aziatike në Beograd.

Në kohën kur Milorad Dodik ishte anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Perishiq ishte këshilltar i tij. Ai u hoq nga ai pozicion pa shpjegim në maj të vitit 2019.

Në daljet dhe postimet e tij publike në rrjetin social X , Perishiq thekson se “serbët nuk janë pjesë e Perëndimit”, lavdëron presidentin rus, Vladimir Putin, dhe shkruan se “në Srebrenicë ka një inicim në kampin anti-serb”.

Kujtojmë se në Srebrenicë në vitin 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Sërpska dhe njësitë paraushtarake nga Serbia kryen gjenocid ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Më pak i njohur për publikun e gjerë është Goran Shimpraga, i cili prezantohet si gazetar dhe producent. Përveç që kanë të njëjtin emër me Goran Petronijeviqin, Shimpraga dhe avokati beogradas janë të lidhur edhe me kompaninë “Medija centar Nogina i Kurinoja – Ruski Ekspres”, e regjistruar në Beograd në vitin 2014 për aktivitetin si agjenci e lajmeve.

Goran Petronijeviq figuron si pronar aktual në Regjistrin e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve në Serbi, ndërsa Goran Shimpraga është përfaqësuesi ligjor dhe drejtor.

Ky subjekt afarist ka realizuar të hyra totale prej 22.000 eurosh, ndërsa të gjitha të hyrat janë realizuar nga shitja e produkteve dhe shërbimeve në Serbi.

Lidhje me “Shtëpinë ruse”

Radio Evropa e Lirë ka gjetur vetëm faqen në Facebook të “Ekspresit Rus” (Ruski Ekspres). Në përshkrimin e tij, ka tri linqe që çojnë në faqe, por asnjëra prej tyre nuk mund të hapet.

Postimi i tyre i fundit në Facebook ishte më 13 gusht. Shumica e postimeve janë njoftime të transferuara nga faqja në Facebook e “Shtëpisë ruse” (Ruski dom) në Beograd. Kjo është përfaqësia e agjencisë federale ruse “Rossotrudnicestvo” në Serbi, e cila ndër të tjera merret me diasporën dhe punën humanitare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë.

Siç ka shkruar më parë REL-i, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ky institucion ka organizuar dhe mbështetur disa ngjarje që justifikojnë luftën në Ukrainë.

Drejtori i “Shtëpisë ruse”, Yevgeny Baranov, gëzon imunitet diplomatik dhe të gjitha të drejtat e tjera si diplomat i Ambasadës Ruse në Serbi. Vetë Shimpraga ka disa fotografi me Baranovin në rrjetet sociale, në bazë të së cilave mund të konstatohet se ata kanë një marrëdhënie të ngushtë miqësore.

Edhe Yevgenij Baranov është i lidhur me Goran Petronijeviq përmes Fondacionit RHM (Misioni Humanitar Rus). Kjo organizatë joqeveritare gjendet në të njëjtën adresë në Beograd me “Ruski Ekspres”.

Petronijeviq është një anëtar themelues i Bordit të Drejtorëve të Misionit Humanitar Rus, dhe kryetar i Bordit të Drejtorëve ishte Yevgenij Baranov deri në tetor të vitit 2020.

Në atë vend aktualisht ndodhet Sergej Glushçenko, shtetas rus dhe koordinator ndërkombëtar i shoqatës ruse “Besmrtni puk”.

Kjo shoqatë, e cila ka një degë edhe në Serbi, organizon manifestimin e quajtur “Regjimenti i pavdekshëm”, në të cilin marshojnë pasardhësit e luftëtarëve antifashistë, të organizuar çdo vit më 9 Maj, Ditën e Fitores mbi Fashizmin, në më shumë se 100 vende.

Ndër aktivitetet e Misionit Humanitar Rus është financimi i ndërtimit të një seksioni rrugor në jug të Serbisë ndërmjet Komunës së Medvegjës dhe fshatit Putinovo, i cili ka marrë emrin që nga viti 2016 për nder të presidentit autokratik rus, Vladimir Putin.

Fshati Putinovo në Serbi, i emërtuar më 2016 sipas presidentiti rus, Vladimir Putin.
Fshati Putinovo në Serbi, i emërtuar më 2016 sipas presidentiti rus, Vladimir Putin.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me Goran Petronijeviqin, Sërgjan Perishiqin dhe Goran Shimpragan, duke kërkuar që ata të jenë bashkëbisedues për këtë temë. Asnjë përgjigje nuk ka ardhur nga ta.

Çfarë tha Ambasada e Ukrainës?

Ambasada e Ukrainës në Beograd vlerësoi në një deklaratë të publikuar më 13 shtator se Federata Ruse zhvilloi “zgjedhje të rreme në territoret e pushtuara përkohësisht”, duke theksuar se ato janë “të pavlefshme dhe të panjohura nga bashkësia ndërkombëtare”.

Ajo deklaroi gjithashtu se është “një tjetër përpjekje e Kremlinit për të legalizuar agresionin, një përpjekje për aneksim dhe kontroll të përkohshëm ushtarak mbi një pjesë të territorit të shtetit sovran dhe të pavarur evropian të Ukrainës”.

Në njoftim thuhet se në shfaqjen e organizuar nga autoritetet ilegale pushtuese ruse kanë marrë pjesë tre shtetas serbë – Goran Petronijeviq, Goran Shimpraga dhe Sërxhan Perishiq.

“Personat e përfshirë në zbatimin e këtyre zgjedhjeve të falsifikuara, duke përfshirë udhëheqjen e Federatës Ruse, përfaqësues të administratave dhe strukturave zgjedhore okupuese, si dhe propaganduesit e tyre, do të vihen para drejtësisë.

Ukraina, gjithashtu, do të iniciojë vendosjen e sanksioneve të reja ndërkombëtare kundër të përfshirëve”, njoftoi Ambasada e Ukrainës në Beograd.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk mori përgjigje.

Nuk dihet nëse dhe në kuadër të cilit mision ndërkombëtar qytetarët serbë e kanë përcjellë procesin zgjedhor të Rusisë në disa rajone në Ukrainë.

Siç sqaruan për REL-in nga organizata joqeveritare CRTA, vëzhguesit në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), largohen me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. Para kësaj, është e nevojshme t’i nënshtrohet trajnimit për vëzhguesit e organizuar nga OSBE-ja.

Është e sigurt se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nuk ka pasur vëzhgues të saj, pasi që këto zgjedhje nuk ishin as në kalendarin vjetor zgjedhor në faqen e kësaj organizate ndërkombëtare.

Djathtistët ekstremë nga Serbia

Kjo nuk është hera e parë që qytetarë serbë marrin pjesë në misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të organizuara nga Federata Ruse në territoret ukrainase.

Misha Vaciq, njeriu i parë i së djathtës ekstreme serbe, ishte në Volgograd në shtator 2022 në cilësinë e një vëzhguesi ndërkombëtar të referendumit që po mbahet në rajonet e shkëputura dhe të pushtuara të Ukrainës për bashkimin me Rusinë.

Siç njoftoi në atë kohë e djathta joparlamentare serbe, Vaciq, me ftesë të administratës së presidentit rus, Vladimir Putin, vizitoi qendrat e votimit të vendosura në kampet e refugjatëve në territorin e rajonit të Volgogradit, ku jetojnë refugjatët nga rajonet separatiste të Ukrainës.

Në rajonet ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, si dhe në rajonet Zaporizhja dhe Herson, separatistët pro-rusë organizuan referendume për aneksimin e këtyre territoreve në Rusi.

Kievi zyrtar, Kombet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore nuk e njohën referendumin, i cili u mbajt në zonat nën pushtimin ushtarak të Moskës. Këto territore përbëjnë rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës.

Procesi zgjedhor, i paligjshëm për Perëndimin, u ndoq nga Sërgjan Perishiq – si dhe disa qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës – për të cilin REL shkroi.
Kievi akuzoi vëzhguesit si “kukulla të Kremlinit”.

Komuniteti ndërkombëtar për zgjedhjet

Ashtu si referendumi i një viti më parë, komuniteti ndërkombëtar nuk i njohu zgjedhjet e mbajtura së fundmi në territoret e okupuara të Ukrainës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane deklaroi më 11 shtator se sanksionet ndaj organizatorëve të zgjedhjeve dhe kandidatëve që morën pjesë në to, nuk do të ishin “të paimagjinueshme”, por shtoi se sanksione të tilla vendosen kryesisht brenda Bashkimit Evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, gjithashtu dënoi procesin e mbajtur të zgjedhjeve, duke thënë se “zgjedhjet e rreme të Rusisë në zonat e pushtuara të Ukrainës janë të paligjshme”./REL/

Të ngjashme