Lajme
Kush ishte Xhafer Deva dhe pse Ambasada gjermane është kundër restaurimit të shtëpisë së tij
Demokracia
17:22 | 07 Shkurt 2022

Share:

Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milionë hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga ta, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.

Nё vitin 1944, Xhafer Deva ishte emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё e Shqipërisë. Në pranverë të po atij viti, ai e kishte ngarkuar një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, që ta krijonte divizionin SS “Skanderbeg”, që sipas disa historianëve, i kontribuoi fuqishëm kryerjes së krimeve ndaj hebrenjve.

Nga ana tjetër, mbështetësit shqiptarë të aktivitetit të Xhafer Devës e lidhin rolin e tij kryesisht me formimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Xhafer Deva konsiderohet nga këta si themelues dhe kryetar i shquar i këtij formacioni ushtarak e qeverisës në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë.

Pavarësisht të dyja anëve, qëndrimet e të cilave tashmë diheshin, shtëpia e Devës është konsideruar monument i veçantë nga Kosova, që tash e disa vite që planifikon restaurimin e atij objekti. Restaurimi ka nisur këtë muaj në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe e Bashkimit Evropian dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.

Kostoja e restaurimit është paraparë të jetë 300 mijë euro.

Ish-pronari i kësaj shtëpie interesante në Mitrovicë, Xhafer Deva mbetet figurë polarizuese e historiografisë. Ai qe anëtar i Qeverisë shqiptare që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte thjesht bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.

Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978.

Ambasadori gjerman i reagon ashpër Qeverisë për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës: Mos e shtrembëroni të vërtetën për Holokaustin

Të ngjashme