Lajme
Kush ishte Jovan Divjak, gjenerali serb që mbrojti Sarajevën
Demokracia
13:47 | 09 Prill 2021

Share:

Të enjten ka vdekur Jovan Divjak, gjenerali i armatës së Bosnjës e Hercegovinës, që mbrojti Sarajevën gjatë 44 muajve të rrethimit.

Divjak, 84 vjeçar, një nga pak serbët që luftoi si pjesë e Armatës së Bosnjës gjatë luftës së viteve 90, vdiq pas një “sëmundje të gjatë” ka njoftuar organizata e tij “Obrazovanje Gradi BiH” (Arsimi e ndërton BeH-në), përcjell Demokracia.com.

Divjak ka lindur në Beograd ndërsa në vitin 1966 familja e tij u zhvendos në Sarajevë. Edhe pse ishte serb nga përkatësia etnike, i lindur në Serbi, ai megjithatë e ka quajtur veten qytetar i Bosnjës.

Nga viti 1979 ka shërbyer në Armatën Jugosllave. Mes vitit 1991 e 1993 ai është ndjekur nga gjykata ushtarake e “APJ”-së pasi i kishte dhënë armë dhe municion Mbrojtjes Territoriale.

Kur shpërtheu lufta në Bosnjë, Divjak u bë pjesë e mbrojtjes territoriale të Bosnjës dhe u përfshi në rangjet e mbrojtësve të Sarajevës, që u mbajt e rrethuar për katër vite.

„Ishte e natyrshme që të bëhesha me ata që po sulmoheshin, që nuk kishin as armë“, i kishte thënë Divjak agjencisë AFP më 2017 duke refuzuar që të quhej „serb i mirë“.

Pas luftës, Divjak ju përkushtua shoqatës së tij që ka siguruar mijëra bursa për fëmijët jetimë dhe ata të familjeve të varfëra.

Divjak mbeti anti-nacionalist gjatë tërë jetës së tij.

Për rolin e tij në luftë, shumica e serbëve të Bosnjës e kanë konsideruar atë tradhtar ndërsa Serbia ka kërkuar ekstradimin e tij me akuzën se ka sulmuar një konvoj të Armatës Jugosllave në Sarajevë, më 1992. Ish-gjenerali ka mohuar këto dhe thoshte se ai ka urdhëruar të ndalet zjarri, pohim që mbështetet nga disa video-xhirime të ngjarjes.

Divjak ka marrë shumë shpërblime ndërkombëtare për angazhimin e tij./Demokracia.com/

 

Të ngjashme