Lajme
Kush i tradhtoi 3 të rinjtë e ekzekutuar në Fushë-Krujë, të dhënat e TIMS dhe itinerari para masakrës
Demokracia
10:55 | 20 Korrik 2022

Share:

Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha 3 të rinjtë e ekzekutuarnë një atentat mafioz te mbikalimi i Fushë-Krujës dyshohet se janë tradhtuar nga persona që kanë pasur dijeni për lëvizjet e tyre. Një nga të hetuarit është punonjësi i servisit ku ishin nisur për të shkuar viktimat.

Lëvizjet e viktimave para vrasjes

Para ekzekutimit të tre viktimat kanë drekuar së bashku në Fushë Krujë. Pas drekës, ata kanë lënë makinën e tyre aty dhe kanë shkuar te një servis në zonën e Tapizës, ku kishin çuar makinën për ta rregulluar. Për të shkuar atje ata janë shoqëruar nga një mik i tyre, me një makinë tjetër dhe kanë qëndruar rreth 30 minuta.

Punonjësi i servisit iu ka thënë viktimave se nuk kishte mbaruar punën me makinën dhe se i duhej edhe ca kohë për ta riparuar. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, të siguruarnga neës24, punonjësi i servisit është shprehur se “Kanë ardhur dhe janë interesuar për makinën. Unë ju kërkova më shumë kohë dhe ata u larguan”.

Kështu, që të tre janë rikthyer sërish në Fushë Krujë, te vendi ku kanë drekuar, kanë marrë makinën e tyre tip “Passat” dhe janë larguar, drejt mbikalimit, aty ku u ekzekutuan me rreth 90 plumba.

Si ndodhi atentati?

Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arbër Hoxha u ekzekutuan në makinën e tyre nga katër persona të panjohur. Autorët i dolën para makinës Volkswagen Passat me të cilën po udhëtonin viktimat dhe i qëlluan me breshëri automatiku.

Diklen Vata mundi të dalë nga makina, por autorët që ishin ende në vendngjarje janë kthyer dhe kanë qëlluar ndaj tij me një tjetër breshëri, duke u siguruar që 30 vjeçari të mos mbijetonte. Dy të tjerët, Hoxha dhe Martinaj mbetën të bllokuar brenda mjetit që shpërtheu në flakë, duke djegur plotësisht trupat e tyre. Më pas autorët janë larguar në drejtim të paditur ndërsa makina që dyshohet se është përdorur për të kryer krimin, u gjet e djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes, në fshatin Larushk.

Kush janë viktimat

Viktimat e ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit. Ata dyshohet se janë pjesëtarë te grupit kriminal të Ervis Martinajt. Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, ishte me precedent kriminal i dyshuar për veprën penale ‘Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘armëmbajtja pa leje’. Diklen Vata, 30 vjeç, njihej si person me precedent penal, kishte lidhje me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit të Ervis Martinajt. Arbër Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.

3 milionë lekë për identifikimin e autorëve

Policia e shtetit ka vënë në dispozicion 3 milionë lekë të rinj për këdo që jep informacion për identifikimin e autorëve të masakrës së Fushë Krujës ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arbër Hoxha mesditën e djeshme.

“Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se: Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj. Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë“, njofton policia.

Të ngjashme