Lajme
Kush është kryeministri i ri australian
Demokracia
20:49 | 21 Maj 2022

Share:

Kryeministri australian, Scott Morrison, të shtunën me shpejtësi ka pranuar humbjen në zgjedhjet përballë laburistit, Anthony Albanese. Lideri i deritanishëm opozitar, bëhet kryeministri i parë në histori të Australisë që nuk ka prejardhje anglo-keltike.

Një prej politikanëve më të rryer të Australisë, Albanese ka thënë se është koha që Parlamenti të reflektojë Australinë moderne.

Albanese do të betohet si kryeministër pasi partia e tij laburiste mori pushtetin për herë të parë që prej vitit 2007. Laburistët kanë premtuar më shumë ndihmë financiare dhe ngritjen e pagës minimale. Përveç problemeve të brendshme, Albanese synon të forcojë politikën e jashtme dhe partia e tij ka propozuar hapjen e shkollës për mbrojtjen paqësore si kundërpërgjigje ndaj prezencës ushtarake në Ishujt Solomon që gjenden afër territorit të Australisë.

Por kush është Albo?

Albanese bëri emër në Australi si mbrojtës i sistemit falas shëndetësor, si mbrojtës i komunitetit LGBT, republikan dhe fans i madh i rugbyt.

59-vjeçari, me nofkën Albo, është rritur në banesë sociale nga e ëma beqare me pension invaliditeti. Shpesh e ka përmendur edukimin e hershim si bazë për besimet e tij progresiste.

Albanese ka besuar, siç i kishte thënë e ëma, se babai i tij ka vdekur para se ky të vinte në jetë. Por si adoleshent, ajo i tregoi se në fakt kishte ngelur shtatzënë me një burrë të martuar – që me gjasë është gjallë – diku në Evropë.

Tre dekada më pas, ai ndoqi Carlo Albanesen. Udhëtoi drejt Italisë vetëm që ta takonte babanë për herën e parë dhe vëllezërit e motrat.

Ndonëse nuk ka dhënë kurrë shumë detaje për prejardhjen e tij, në media është raportuar se Carlo Albanese ka qenë me prejardhje arbëreshe. Raportimet janë përforcuar nga mbiemri Albanese që në italisht nënkupton “shqiptar”.

Megjithatë, edhe në Greqi është raportuar se prejardhja e kryeministrit të mundshëm australian është nga Greqia.

Albanese ka thënë se nëna e tij, Maryanne Ellery, ishte e vendosur t’ia siguronte të gjitha kushtet që për vete s’i kishte pasur. Me përkrahjen e saj, ai u bë i pari në familje që përfundoi shkollimin.

Albanese ka një djalë. Ai është ndarë nga bashkëshortja më 2019.

Ka qenë gjithnjë pjesë e Laburistëve, në pozita të ndryshme që nga viti 1996. Më 2007, u bë ministër i Infrastrukturës dhe Transportit. Gjashtë vjet më pas u bë zëvendëskryeministër.

 

Të ngjashme