Lajme
Kush është Dritan Abazoviq, kryeministri i Malit të Zi?
Demokracia
09:23 | 29 Prill 2022

Share:

Të enjten e 28 prillit 2022, Dritan Abazoviq u votua në Kuvendin e Malit të Zi për kryeministër të këtij vendi. Ky është kryeministri i parë shqiptar në historinë e këtij shteti.

Por kush është  politikani 37 vjeçar i cili arriti të ngjitet në njërin nga tre postet më të rëndësishme në Malin e Zi, përkatësisht, të drejtojë Qeverinë e re të këtij vendi?

Arsimimi

Ulqinaku i cili arsimimin bazik e kreu në këtë qytet, në shkollën e mesme themeloi grupin rinor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, që për fokus të veprimtarisë kishte pajtimin e të rinjve në zonat post-konfliktit në ish-Jugosllavi.

Në vitin 2007 mbaroi studimet në Shkencat Politike në Universitetin e Sarajevës, si më i dalluari i gjeneratës fitues i ‘Medaljes së Artë’ dhe ‘Mirënjohjes së Artë’ nga ky universitet.

Bazuar në biografinë e publikuar në faqen e tij në internet, kryeministri i tanishëm i Malit të Zi, pas studimeve të magjistraturës në Universitetin e Malit të Zi, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për temë të doktoratës në degën e teorisë politike, pati „Politika globale – aspektet etike të globalizimit”, disertacionin e së cilës  e mbrojti në vitin 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.

Ishte pjesëmarrës i programeve profesionale në Amerikë, Austri, Belgjikë, Slloveni, Spanjë dhe Luksemburg.

Gjatë dhe pas përfundimit të studimeve, Dritan Abazoviq bashkëpunoi me organizatat joqeveritare nga fusha e të drejtave të njeriut, euro-atlantizimit dhe aktivizimit qytetar. Nga viti 2010 deri në vitin 2012 punoi si zëvendës, e pastaj edhe si drejtor ekzekutiv i Televizionit „Teuta”.

Karriera

Dritan Abazoviq u përfshi mjaft herët në jetën politike të Malit të Zi. Ishte themelues i partisë politike qytetare “Mali i Zi Pozitiv” në maj të vitit 2012. Në zgjedhjet parlamentare të të njëjtin vit Mali i Zi Pozitiv fitoi shtatë mandate në Kuvendin e Malit të Zi. Abazoviq ishte deputeti më i ri në parlamentin malazez, e pas kësaj edhe njëri ndër deputetët më aktiv në Kuvend.

Mirëpo, në vitin 2014, erdhi deri tek largimi i qëndrimeve në mes Abazoviqit dhe udhëheqjes së partisë dhe ai së bashku me shumicën e anëtarëve, lëshoi “Malin e Zi Pozitiv” dhe në Kuvendin e Malit të Zi veproi si deputet i pavarur.

Në fillim të vitit 2015 themeloi “URA-në”, lëvizjen qytetare integraliste politike. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat në Mal të Zi u mbajtën në vitin 2016, “URA” morri pjesë si pjesë e “Koalicionit të Madh – Çelësi”. Abazoviq u rizgjodh deputet në Kuvendin e Malit të Zi.

Dritan Abazoviq, para se të bëhej kryeministër i Malit të Zi,të enjten e 28 prillit 2022, ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë e këtij shteti. Më parë ishte kryetar i Këshillit për Luftë Kundër Korrupsionit në Nivel të Lartë, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijës, shef i Byrosë për Koordinim Operativ 2021, kryetar i Komisionit për Sistem Politik 2021 e deputet në Kuvendin e Malit të Zi 2012 – 2020

Sa i përket familjes, Dritan Abazoviqi është i biri i Xhaudetit, punëtor i njohur  në turizëm dhe i Fadiles, gruas së parë juriste në Ulqin. Vëllai dhe motra e tij, Xhihani dhe Sanella, janë mjekë.

Të ngjashme