Lajme
Subvencionet nga 500 euro për gratë lehona në Prishtinë, javën tjetër marrin “dritën e gjelbër”
Demokracia
09:40 | 20 Maj 2022

Share:

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për propozim-vendimin që ka të bëjë me subvencionimin me nga 500 euro për nënat lehona me asistencë sociale.

Nënat lehona me asistencë sociale do të jenë përfituese të skemës sociale, pasi me 47 vota pro është aprovuar një propozim-vendim i tillë më 10 maj, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me subvencionimin me nga 500 euro ka folur drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti.

Sahiti për Demokracia.com ka thënë se kjo ndihmesë do të lehtësojë në masë të madhe fillimin e jetës së foshnjës, por dhe rikuperimin e nënës lehonë.

“Vendimi i fundit nga Kuvendi Komunal në lidhje me subvencionimin e lehonave, përfituese të skemës sociale, vlerësoj se është hap mjaft pozitiv, i cili do të lehtësojë në masë të madhe fillimin e jetës së foshnjës, por dhe rikuperimin e nënës së re, lehonës. Shuma prej 500 eurosh për një përfituese e konsiderojmë se tregon për kujdesin që ka Komuna e Prishtinës në raport me nënat, e rrjedhimisht për familjen kosovare”, ka thënë Sahiti.

Ajo për Demokracia.com ka deklaruar se ka mbetur edhe një javë kohë që ky vendim të marrë dritën e gjelbër e pastaj të aplikojnë të gjitha ato gra që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre, nga 1 janari i këtij viti.

“Ka mbetur dhe një javë kohë siç e përcakton ligji që ky vendim të marrë dritën e gjelbër dhe nga institucionet qendrore, pastaj të dal në gazetën zyrtare. Kur të kryhet ky proces mund të aplikojnë të gjitha ato gra që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre nga 1 janari i këtij viti. Normalisht ato gra që janë pjesë e skemës apo asistencës sociale”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse Komuna e Prishtinës ka në plan ta rrisë këtë subvencionim, për shkak se jo të gjitha nënat punojnë dhe jo të gjitha janë raste sociale, drejtoresha Sahiti ka thënë se ky është dhe qëllimi i saj, që të zgjerojë numrin e përfitueseve.

Gjithashtu, drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës ka thënë se si drejtori kanë për detyrë edhe t’u dalin në ndihmë të gjitha grupeve shoqërore, veçanërisht grave që janë viktima të dhunës në familje.

“Ne si Drejtori e Mirëqenies Sociale kemi për detyrë dhe jemi të thirrur t’u dalim në ndihmë të gjitha grupeve shoqërore, e veçanërisht atyre të cenueshme. Pjesë me rëndësi dhe me fokus të shtuar janë dhe gratë, viktima të dhunës në familje. Ne këtyre grave do t’u dalim në ndihmë që t’u sigurojmë fillimisht banimin, duke ua paguar qiranë. Pastaj do të vazhdojmë me ndihmesa e lehtësira të tjera”, ka thënë Sahiti. /Demokracia.com/

Të ngjashme