Lajme
Kusari-Lila fajëson mediat për skandalin e ambasadorit Berishaj, thotë se opozita ra në grackën e luftës hibride
Demokracia
10:55 | 28 Prill 2022

Share:

Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku para pak çastesh ka folur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Në pikat jashtë rendit të ditës, Kusari-Lila, foli për situatën në vend të krijuar si pasojë e luftës së Rusë në Ukrainë, raporton Demokracia.com.

Ajo tha se si pasojë e kësaj lufte, e cila tashmë njihet edhe si hibride, ku Rusia para ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, ka ndërhyrë edhe në shtete të tjera përmes diplomacisë, në zgjedhjet e brendshme të tyre, por edhe përmes “Fake News”, apo lajmeve të rreme.

Sipas Kusari-Lilës, ndonëse nuk përmendi emra, por i fajësoi mediat për publikimin e skandalit financiar të ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, duke thënë se edhe opozita ra në këtë gracë, raporton Demokracia.com.

Fjalimi i plotë i Kusari-Lilës, pa ndërhyrje:

Me datë 26 prill sulmohet patrulla e Policisë së Kosovës në fshatin Zupç të Zubin Potokut, përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Ky ishte sulmi I gjashtë me radhë në periudhën kohore prej dy javësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ashtu siç kishte deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media më 15 prill, për 3 ditë Policia e Kosovës ishte sulmuar 4 herë në veri. Mëngjesin e 15 prillit Policia e Kosovës ishte sulmuar me granatë dore dhe AK47, sulm ky i cili u konsiderua si akt terrorist i cili është bërë me qëllim të frikësimit të Policisë deh qytetarëve të vendit. Sulmet janë dënuar nga ambasadat e akredituara në Kosovë si dhe nga misioni i KFOR-it të cilët dënuan ashpër sulmet kundër pjesëtareve të Policisë së Kosovës dhe konfirmuan gatishmërinë për të mbështetur Policinë nëse është e nevojshme dhe e kërkuar nga institucionet e vendit. Përkundër shqetësimeve që sjellin këto sulme dhe shqetësimet të cilat mund të ndjellin nervozë, dhe panik tek qytetarët, asgjë nuk është e papritur apo e çuditshme në rrethanat gjeopolitike të cilat po mbretërojnë në Evropë. Agresioni i paprovokuar rus ndaj Ukrainës, pashmangshëm e përcolli efektin e saj prej krizës së energjisë, krizës së ngritjes së çmimeve të artikujve të konsumit të gjerë e deri të kriza dhe kërcënimi i sigurisë ne veçanti në shtetet të cilat ose kufizohen me Rusinë apo kufizohen me shtetet të cilat kanë lidhje strategjike me Rusinë. Me Serbinë në kufirin tonë verior është e pritshme dhe aspak befasuese lista e provokimeve të tilla. Megjithatë duhet të kemi parasysh se rrethanat e krijuara nuk e kanë fokusin e ngushtuar të veprimit, ato janë pjesë e veprimit të një lufte të re definimi i së cilit u paraqit si një luftë hibride, e cila është teori e strategjisë ushtarake e propozuar për herë të parë në vitin 2007 dhe e përdor luftën politike dhe e ndërthurë atë me luftën konvencionale, luftën e parregullt, luftën kibernetike me metoda të tjera ndikuese si lajmet e rreme apo “fake news”, diplomacinë, ndërhyrjen ligjore dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të huaja. Kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë po ndodhin gjithnjë e më shumë gri ku aktorët shtetëror dhe joshtetëror përdorin taktika hibride si dezinformomi apo sulmi kibernetik. Është e gjatë lista e veprimeve të luftës hibride të Rusisë ndaj shteteve të tjera me të gjitha metodat e lartcekura. Prej përpjekjeve në ndërhyrjet e zgjedhjeve në shtetet e mëdha sikur në SHBA, shtetet e Bashkimit Evropian e deri tek shtetet e rajonit apo ato në kufi me Kosovën. Në situatën kur nuk mund të kontrollojmë rrethanat e krijuara nga të tjerët, është e domosdoshme të kontrollojmë sjelljen tonë ndaj rrethanave të imponuara nga jashtë. Në planin ushtarak, Kosova e ka Forcën e Sigurisë që po forcohet çdo ditë dhe ndonëse nuk është anëtare e NATO-s, trupat e Aleancës janë këtu në misionin e KFOR-it dhe siç e ceka më lartë ajo tashmë ka dërguar mesazhin se është e gatshme të ndihmojë kur kërkohet. Ndërsa për ndërhyrjet tjera si “fake news”, ndërhyrjet ligjore dhe diplomatike, tashmë kemi parë tentime e mekanizma përmes së cilave u tentua e po tentohet në Kosovë. Është e rëndësisë së veçantë që partitë politike në vend të jenë të vetëdijshme për këtë situatë, nëse janë të gatshme kuptohet që të punojnë për interesat e shtetit tonë. Sot më shumë se kurrë do  të ketë ndërhyrje të forta të luftës hibride në rajonin tonë dhe në shënjestër e në këto raste janë qeveritë dhe institucionet shtetërore. Për debatet e brendshme politike është rrugë e shkurtër që t’ju referohesh këtyre sulmeve që marrin pamje edhe të lajmeve në çaste të caktuara. Por çfarë do të thotë kjo për shtetin vet. Këtë javë e kemi parë që një pjesë e opozitës ka rënë në kurth me vetëdije apo jo, veçse është e sigurt që me vetëdije nuk po duan të dalin prej kurthit. Lufta hibride kështu duket. Nëse keni reflektuar ndonjë herë çfarë është ajo, ja kështu siç po na ngjajnë neve këtë javë dhe në këto forma. Kush nuk do ta shoh që po ngjanë nuk është i gatshëm për kundërpërgjigje, rrjedhimisht duhet ta pyet veten se në anën e kujt është. Pavarësisht kësaj, vendi as nuk zmbrapset as nuk ngadalësohet në progres sepse kjo është një betejë që duhet luftuar dhe do të fitohet, prandaj jam e bindur që përkundër zgjatimeve dhe formave të ndryshme të luftës hibride, gjithë do të jemi fitues ndaj saj. /Demokraica.com/

Të ngjashme