Lajme
Kusari e pranon se bisedoi me Radojiçiqin: S’ka qenë në dijeni Kurti, më bëri pyetje shtesë kur e informova
Demokracia
22:09 | 10 Korrik 2023

Share:

Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, është në qendër të vëmendjes që nga mesdita, pasi Nacionale publikoi një përgjim ku ajo dëgjohet teksa e pranon se ka biseduar me Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe në listë të zezë të ShBA-së. Zonja Kusari-Lila sonte ka qenë e ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, ku ka folur për përgjimet e publikuara sot.

Në fakt, Ermal Panduri, udhëheqës i emisionit, fillimisht e përshëndeti zonjën Kusari-Lilën në gjuhën serbe.

“Dobro veçe” – i tha z. Panduri, që do të thotë mirëmbrëma.

E njëjtë ia ktheu edhe Kusari-Lila, duke i thënë “dobro veçe”.

“Mirëmbrëma, dobro veçe” – ia ktheu Kusari-Lila.

E që në fillim të emisionit, zonja Kusari-Lila e pranoi se është zëri i saj në përgjimet që u publikuan nga Nacionale, që do të thotë se është përgjim autentik.

“Po është zëri im ai që dëgjohet në përgjimin e paautorizuar si duket nga Slavko Simiq në vitin e kaluar, kur ka ndodhur ajo bisedë në zyrën time në Kuvendin e Kosovës” – theksoi ajo.

Tutje, zonja Kusari-Lila ka dhënë rrëfimin e saj në lidhje me bisedën që e kishte me Milan Radojiçiqin, duke treguar se edhe çka i tha të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

“Në situatën këta në secilin problem që e kanë mundohen me e sjell Radojçiqin me ia ngritë atij pazarin. Ndodhë kjo çka ka ndodhë. Edhe tash në momentin kur ai flet edhe thotë që ‘është e vështire për mua’ dhe unë i them që këto janë situata dhe rrethanat që janë kriju dhe tjerët se ku di unë, se ata munden me lshu dhe nuk është as po më bën përshtypje. Milan Radojçiqin mundet me qenë i burgosur, mundet me qenë i dënuar dhe në momentin që të thotë kjo është fjala që po du me ta thënë, ti e dëgjon. Unë ia kamë kthyer përgjigjen në gjuhën shqipe ne atë që ai ka fol.” – ka thënë ajo, raporton RTV Dukagjini.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së tha se nuk ka arritur t’i thotë që të dorëzohet në Kosovë, shtet i cili i ka lëshuar një fletarrest.

Por, tashmë zonja Kusari e ka ndryshuar sërish rrëfimin e saj. Pasi tha në Klan Kosova se vetëm e ka dëgjuar një diskutim në shqip, tashmë zonja Kusari tha në RTV Dukagjini se ka biseduar. Pra e ndryshoi termin, nga dëgjimi në bisedë, që sipas fjalorit online të gjuhës shqipe nënkupton “shkëmbim mendimesh me të folur të lire”.

“Jo, nuk është e vërtetë absolutisht, jo. Kurdo e ballafaqoj publikisht, kurdo mundem me e konfirmu kjo biseda e shkurtër 3-minutëshe në gjuhën shqipe në interfon në zyrën time, ka qenë vetëm një herë kjo bisedë, asnjëherë tjetër nuk ka pasë as komunikim, as koordinim.” – tha ajo.

E pasi i tha këto fjalë, zonja Kusari-Lila i hyri interpretimin se pse ndodhi ky përgjim.

“Ai ka ardhur me paramendimin per të më kornizuar ose të më kurthoj me incizimet që pastaj munden me i përdorë.” – ka thënë Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së e ka pranuar se e ka lexuar një letër të Radojiçiqit, e cila sipas Kusari-Lilës kishte tone kërcënuese dhe e cila iu dorëzua nga ana e Slavko Simiqit, nënkryetarit të Listës Serbe. Ajo i tha Pandurit se i ka thënë Simiqit të dalë jashtë nga zyra e saj në Kuvendin e Kosovës.

Gazetari Ermal Panduri e ka pyetur nëse Kurti ka qenë në dijne të kësaj bisede.

“A ka qenë në dijeni Albin Kurti për këto biseda” – pyet Panduri.

“Jo, s’ka qenë, sepse s’është diçka e përgatitur, është diçka me të cilën jam përballë kur ka qenë në zyrë Simiqi”- është përgjigjur prerë Kusari.

Por, Kusari më vonë ka treguar se ndërkohë e ka informuar Kurtin për bisedën e saj me Radojiçiqin.

Të ngjashme