Barazia
“Kurvë, kurvar”, reagojnë aktivistet: Kjo gjuhë duhet dënuar nga gratë e VV-së
Demokracia
21:31 | 08 Qershor 2021
Foto Ilustrim

Share:

Termi “kurvë” dhe “kurvar”, sipas aktivisteve për të drejtat e grave shihen si nocione që përdoret më shumë për të dëmtuar gratë dhe vajzat. Mirëpo një rast që ndodhi ditë më parë, ku Alban Krasniqi, bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu me termin “kurvar”, e quajti invalidin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faik Fazliu, aktivistet e shohin edhe si sulm politik që ka për qëllim denigrimin e tjetrit dhe se kjo gjuhë e përdorur duhet dënuar nga të gjithë duke nisur nga gratë e partisë së tij.

Aktivistja për të drejtat e grave, Arta Avdiu, tha për Demokracia.com se është për të ardhur keq kur sheh se përkundër feminizmit dhe revolucionit seksual akoma përdoret termi “kurvë” dhe “kurvar”, e që sipas saj, kjo e fundit shumë ma rrallë, për të nënçmuar dikë, për ta turpëruar dikë për jetën e tij/saj seksuale.

“Dhe për me keq ky term përdoret nga partia e cila ka ardhur në qeveri me premtimet se do të bëj çmos për emancipimin e shoqërisë. Pra në vend që të bënin diçka konkrete për barazinë gjinore, të drejtat e komunitetit LGBT, këta na kthejnë dhjetëra hapa mbrapa duke e quajtur imorale daljen në kafene. Duhet patjetër me thënë se ndonëse në ofendimi në rastin konkret është bërë ndaj një burri, prap nga legjitimimi i këtij termi në diskursin publik, më së shumti pësojnë gratë. Sepse me këtë term pezhorativ bëhet shantazhi më i madh për ta penguar çlirimin dhe avansimin e grave”, tha Avdiu.

Avdiu tha po ashtu se gjuha e përdorur e zyrtarit të Vetëvendosjes duhet dënuar nga të gjithë duke nisur nga gratë e partisë së tij.

“Nuk ka asnjë term tjetër që ka përdorim më të gjerë e fatkeqësisht dhe më efikas për ta dëmtuar gratë dhe vajzat. Edhe vet si term hovin më të madh të përdorimit, globalisht,  e ka pasur gjatë kohës kur fillojnë protestat për të drejtën e votës dhe drejtat tjera elementare të grave. Prandaj për mua është tepër e rrezikshme gjuha e zyrtarit të Vetëvendosjes dhe duhet dënuar nga të gjithë duke nisur nga gratë e partisë së tij apo edhe më konkretisht nga ministrja e drejtësisë”, tha Avdiu.

Eurisa Rukovci nga “Grazeta” tha për Demokracia.com se ky paragjykim ekziston në shoqërinë tonë, por sipas saj ky është debat politik është më shumë sulm i politikës ditore sesa paragjykim moral.

“Është më shumë debat politik, sulm politik që ka për qellim denigrimin e tjetrit politikisht sesa që është në lidhje me fenomenin dhe me sulmet morale. Edhe pse ky paragjykim ekziston në shoqërinë tonë, dmth gjykimi moral i daljes në kafene në orë të vona, rasti konkret që e ka shkaktu’ këtë debat është më shumë sulm i politikës ditore sesa paragjykim moralist”, tha Rukovci.

Kujtojmë se ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka paralajmëruar protestë masive pas vazhdës së deklarimeve të, siç i quan ai, skandaloze, të ministrave të Qeverisë Kurti, si dhe arrestimit e më pas lirimit të veteranit Faik Fazliu.

Ditë më parë, Faik Fazliu u sulmua fizikisht në një lokal nga zyrtarë policorë, të cilët e shtynë dhe e rrëzuan përtokë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme