Sikur shumica e qytetarëve që po planifikojnë të ikin nga Kosova, pas liberalizimit të vizave, as kryeministrit Albin Kurti nuk është që po i rrihet fort në Kosovë.
Kurti, ndonëse me takime jo fort të rëndësishme, nuk po lë rast pa e shfrytëzuar për të dalë jashtë vendit, shkruan Demokracia.com.
Ai sot ka udhëtuar për në Bruksel, siç njofton kryeministria, me ftesë të Presidentit të Partisë së Socialistëve Evropianë, Stefan Löfven. Kurti do të marrë pjesë në takimin përgatitor të Këshillit të Bashkimit Evropian me kryeministra, liderë partiakë dhe komisionerë nga radhët e familjes së PES dhe për të diskutuar rreth agjendës së Këshillit.
Kurti edhe në muajin e kaluar mori pjesë në një tubim të partive socialiste nëpër Evropë.
Ai në nëntor ishte në Malaga të Spanjës, ku mori pjesë në kongresin e Partive Socialiste të Evropës dhe LVV-ja u anëtarësua aty.
Por, ky nuk ishte tubimi i vetëm i socialistëve ku Kurti mori pjesë.
Më 9 tetor, kryeministri Kurti ishte në Angli, ku mori pjesë në tubimin e partisë simotër të VV-së, Partisë Laburiste, ku e mbajti edhe një fjalim.
Ndërsa, në shtator, Kurti ishte pjesë e tubimit të Partisë Socialiste në Zvicër. /Demokracia.com/