Lajme
Kurtit nuk i kalon mllefi për Escobarin, nuk i bien taman as të emëruarit e Administratës Biden
Demokracia
19:29 | 01 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur një mllef të paparë më herët kundër emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pasi ky i fundit tha se do ta themelojë “Zajednicën” edhe pa kreun e ekzekutivit kosovar.

Kurti nëpër intervista ka synuar t’i mësojë se çfarë duhet bërë emisarët në përgjithësi në raport me Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Në një intervistë të fundit për AFP, i pari i Qeverisë ka thënë se emisarët ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Serbisë e jo Kosovës, e cila është vendi më “pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

“Nuk është fer t’i bësh presion mbi vendin më pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratik në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti, duke shtuar se “presioni duhet të bëhet mbi Beogradin”.

“Ne nuk mund të shantazhohemi. Nuk mund të kemi frikë. Ne jemi njerëz të guximshëm dhe ajo që kërkojmë është trajtim i drejtë, barazi dhe njohje reciproke”, deklaroi më tej ai, kur u pyet për “Zajednicën”.

Kurti edhe para takimit në ambasadën e SHBA-së për çështjen e “Zajednicës” e tregoi mllefin duke e fajësuar Escobarin si promotor të idesë së themelimit të asaj që Kurti e ka kundërshtuar në vazhdimësi.

“Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra, sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, deklaronte ai përpara takimit të 31 janarit.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”.

Kryeministri Kurti e kishte pritur me padurim ardhjen në pushtet të Administratës Biden, mirëpo sot po e kundërshton për të. Escobar, i cili po e kritikon Kurtin në vazhdimësi është i besuari i vetëm i Biden për Ballkanin Perëndimor.

I gjithë ky hidhërim i Kurtit vjen pasi Escobar deklaroi se do ta themelojë “Zajednicën” edhe pa të.

“Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, deklaroi Escobar.

Nëpër qarqe diplomatike, marsi po përflitet si afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje finale të Kosovës me Serbinë. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Kurti të mërkurën, në intervistën për AFP-në. /Demokracia.com/

Të ngjashme