Lajme
Kurtin e zë ngushtë gazetarja – S’ka ide për njohjen nga shtetet e BE-së, flet vetëm për Greqinë
Demokracia
21:21 | 08 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e së premtes, i zgjedhur të diskutojë i fundit në ditën e dytë të Forumit Ekonomik të Delphi në Greqi, ka vendosur të flasë për ato që i quan suksese të qeverisjes së tij, ani pse sot në Prishtinë kundër tij dolën të gjitha sindikatat e punëtorëve.

Ani pse gazetarja ia dha fjalën që ta bëjë një prezantim të shkurtër, Kurti zgjodhi që për disa minuta të flasë për ato që ai i konsideron suksese, përkundër që shumica prej tyre nuk qëndrojnë, raporton Demokracia.com.

Kurti si zakonisht tha se vendi ka pasur rritje prej 10 për qind në ekonomi dhe përmendi përkrahjen për bujqit, lirimin nga pagesa në universitete publike, ndonëse në këtë forum u ftua të flasë kryesisht për Ballkanin Perëndimor, në këtë kohë kur Rusia po tenton pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë, gazetarja e Politico-s, Nektaria Stamouli, e ka ndërprerë Kurtin gjatë kohës sa po fliste për shtetet që s’e njohin Kosovën, raporton Demokracia.com. Ajo e ka pyetur kryeministrin e Kosovës se a ka potencial që këto vende ta njohin pavarësinë e shtetit që ai udhëheq.

Kurti, këtu ka folur vetëm për Greqinë, pasi që si duket nuk ka fare kontakte me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë.

“Kemi komunikim të mirë dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë. Nuk kemi probleme të hapura, është një urë që duhet ta kalojmë, besoj që koha është e duhur që Greqia ta njoh Kosovën”, ka thënë Kurti.

Ideja e kryeministrit Kurti është që, në rast të njohjes nga Greqia, mund të fillojë bashkëpunimi edhe me vende të tjera dhe këtu ai bëri një premtim, raporton Demokracia.com. “Ne mendojmë se do të anëtarësohemi në NATO dhe BE shumë më shpejt sesa që dikush kishte menduar disa muaj më parë”, ka thënë Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme