Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidat për kryeministër nga kjo parti, ka thënë se vendi ka nevojë për një kryeministër dhe presidente të re. Ai këtë e ka thënë në një konferencë për media, në të cilën zyrtarizuan bashkëpunimin në listën zgjedhore me Vjosa Osmanin.
“Të nderuar gazetarë të dashur qytetarë, sot kur na ndajnë saktësisht një muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, jemi të gëzuar dhe kemi kënaqësinë që t’ju njoftojmë se do të garojmë bashkë në një listë. Presidentja në detyrë, zonja Vjosa Osmani dhe unë ish-kryeministri, me subjektet tona politike, do të na gjeni në të njejtin vend e për të njejtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, të cilën porsa e nënshkruam këtu para jush, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi e pa korrupsion; për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët, pa dallime, diskriminime e favorizime.”-tha Kurti.
Ai po ashtu deklaroi se në fushatën zgjedhore do të angazhohen bashkë me Vjosa Osmanin.
“Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe do të angazhohemi bashkë. Të shtunën e 16 janarit e dorëzojmë listën e kandidatëve, për zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021.”- theksoi Kurti.
Kurti tha se Kosova ka nevojë për Kryeministër dhe Presidente të re, dhe se këtë e ka dëshmuar viti 2020.
“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re. Ne e kemi presidenten. Ajo ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet, e ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit.”- potencoi Kurti.
Ish-Kryeministri Kurti tha se këto zgjedhje janë referendum, dhe se duhen rilegjitimuar.
“Në këto zgjedhje, që janë referendum duhet ta rilegjitimojmë këtë. Sigurisht se kemi shumë punë përpara, por edhe një fitore të madhe. Jemi të zellshëm e të palodhshëm. Do të shërbejmë me përultësi, për lirinë dhe barazinë e qytetarëve, për progresin dhe suksesin e shtetit.”- tha Kurti./Demokracia.com