Lajme
Kurti vazhdon t’i sulmojë mësimdhënësit pas dështimit për të plotësuar kërkesat e grevistëve
Demokracia
11:53 | 13 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati kanë takuar përfaqësuesit e Këshillit Grevist të BSPK-së, takim ky që përfundoi pa rezultat.

Pas dështimit për plotësimin e kërkesave të grevistëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konference për media foli për takimin që pati me Rrahman Jasharajn dhe përfaqësuesit e tjerë të Këshillit Grevistë.

Kurti pavarësisht se nuk ua plotësoi kërkesat grevistëve, kërkoi që mësimdhënësit t’u kthehen shkollave dhe punës, duke thënë se tashmë Ligji për Pagat do të dalë në dëgjim publik këtë javë, raporton Demokracia.com.

“Pakoja e ringjalljes ekonomike vitin e kaluar ka qenë 300 milionë euro, sivjet tashmë e kemi 5 për qind të bruto produktit vendor. Dhe ne këtë ndihmë ua japim qytetarëve pikërisht që të përballen me inflacionin dhe të kenë mundësi në këtë krizë e cila nuk është vetëm e Kosovës por edhe e mbarë kontinentit, t’ia dalin sa më kollaj e sa më shpejtë. Në takim më është thënë kryeministër lëviz, mirëpo unë kam lëvizur të paktën 10 herë vetëm në drejtim të kërkesave dhe nevojave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit. Andaj pikërisht për këtë arsye edhe një herë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Të parët të mësojnë e të dytët të  japin mësim. Nuk bën bojkot e grevë shteti, sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që s’ka pasur komunikim, nuk është e vërtetë që s’ka pasur dialog dhe më së miri kjo gjë u pa sot. Problemi që kemi nuk është për shkak të dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë mu tha që le të dalim prej kësaj situate edhe ju edhe ne. Edhe Qeveria edhe SBASHK-u. Unë besoj se në situatë e vështirë nuk është as SBASHK-u e as Qeveria, por arsimi dhe unë jam këtu që ta ndihmojë arsimin. Nuk mund të zhvillohet dialog social me preokupim prioritar për përfaqësuesit e organizatave të cilët e zhvillojnë dialogun social. Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të Këshillit Grevist, për të cilët ata neve na premtuan që do ta pyesin anëtarësinë. Pra neve na u tha në takim që për këtë ofertë të Qeverisë do të pyetet anëtarësia. Por sa dolën nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë?. Neve na u tha në takim që do ta pyesin anëtarësinë dhe oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmabjëtsore e debitimeve publike për Ligjin mbi Pagat dhe atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë. Dhe dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK-në do ta bëjmë reformën e sistemit pensional në mënyrë që të bëjmë diferencimin e kategorive të ndryshme duke e hequr atë pragun famëkeq prej 15 vjet përvojë pune”, theksoi Kurti, raporton më tutje Demokracia.com.

Kurti kërcënoi grevistët, duke thënë se anëtarësia e Këshillit grevist mund të shkarkohet vetëm me një telefonatë, duke theksuar siç u shpreh ai, se nuk bënë pazar me SBASHK-un.

“Ata thanë se do të konsultohen për këto gjëra me anëtarësinë. Kur dolën nga takimi thanë vazhdon greva. Unë nuk e di se çfarë anëtarësie është ajo, e cila reduktohet ndoshta me një telefonatë. S’kam si e kuptoj ndryshe këtë. Dhe ata me mua janë sjellë thua se buxheti i Kosovës është para e imja. Këto janë para të qytetareve, më thoshin na ndihmo si vëlla. Si vëlla të ndihmojë privatisht, por unë janë kryeministër dhe ka kaluar koha kur kryeministrat bëhen vëllezër, kur kryeministri të ndihmon si vëlla. 80 për qind të punëtorëve në Kosovë janë në sektorin privat, ata e mbushin buxhetin, 20 për qind janë në sektorin publik dhe nuk janë të gjithë mësimdhënës. Pra mua më duhet të kem një qasje universale, ndërkohë që unë ballafaqohesha me një dëshirë partikulare. Nuk është në rregull kjo, nuk bën të bankrotojë shteti. Insistimi i tillë është moskokëçarje për shëndetin financiar, shoqëror e ekonomik të mbar qytetarëve. Kanë kërkuar 100 euro ka qenë zero, ne u kemi thënë 50. Por o krejt o hiq, nuk është e drejtë kjo lloj logjike e shantazhit dhe e bërjes pazar. Nuk bën pazare kryeministri”, u shpreh Kurti në konferencë.

Pasi që dështoi në gjetjen e një zgjidhjeje, Kurti në këtë konferencë foli për arritjet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Ne kemi pasur takime dhe kemi qenë ën komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sindikatave dhe sot kam takuar këshillin grevist me kryetarin dhe anëtarësitë e këtij këshilli. Gjithsej janë mbajtur 30 takime me sindikatat. Rikujtojmë se projektligji për pagat në sektorin ka qenë kërkesë qendrore e kamotshme sindikale, të cilës kërkesa për 100 euro shtesë i është shtuar rrugës. Sindikatat e filluan grevën e tyre më 25 gusht, 8 ditë pas njoftimit se Ligji për Pagat është proceduar për konsultime paraprake. Konsultimet paraprake kanë përfunduar dhe projektligji do të dalë këtë javë në dëgjim publik. Pra këtë javë lëshon zyrat e Qeverisë dhe vihet në diskutim publik. I kemi marrë për bazë të gjitha kërkesat e tyre dhe kësisoj në projektligjin për paga të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë. Në këtë projektligj mësimdhënësit do  ta kenë koeficientin më të lartë ndonjë herë. Ai do të sigurojë trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndor në arsimin e mesëm dhe të ulët, do të eliminojë padrejtësitë në sektorin e arsimit si, bibliotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar. Parashihen shtesa për mësimdhënësit në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësive menaxheriale. Për më tepër paraprakisht MASHTI ka adresuar edhe disa çështje të tjera që janë ngritur nga Sindikata e Arsimit. Me kërkesë të tyre për herë të parë janë ndarë 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda. Është ndarë buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë, ashtu që të mos mbeten pa punë. Në vitin 2022, 1600 mësimdhënësve u janë ruajtur normat, ndërkohë që për vitin 2023 tashmë janë planifikuar që t’u ruhen normat 2209 punëtorëve të arsimit. Kemi trajtuar edhe çështjen e mësimdhënësve me 180 kredi që quhet, nëpërmjet udhëzimit administrativ…..pra e kemi rregulluar legjislacionin për ata që janë në proces të punë për shumë vite që të mos kenë probleme në aspektin formal që vit për vit të mos i nënshtrohen konkursit për punësim…. më lejoni t’ua rikujtoj se këtë vit e kemi rritur buxhetin në arsim për 12 për qind. Këtë shtator e kemi përuruar Abetaren e përbashkët me Republikën e Shqipërisë, kemi ndarë 255 mijë euro për blerjen e teksteve për nxënësit në Komunën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Kemi ndarë tekste shkollore në gjuhën e komuniteteve….. këtë vit kemi angazhuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe 300 janë buxhetuar për vitin e ardhshëm….”, tregoi Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme