Lajme
Kurti vazhdon ta injorojë ShBA-në, nuk e thotë asnjë fjalë për ultimatumin amerikan
Demokracia
13:55 | 07 Qershor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kohë deri sot në mbrëmje, konkretisht në orën 21:00 që të kthejë përgjigjen nëse e pranon apo jo propozimin e SHBA-së dhe BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri. Por ai ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë ultimatum. 

Madje ai nuk ka dalë as në konferencën me gazetarë, pas mbledhjes s 137 Qeverisë, shkruan Demokracia.com.

Dje, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe emisari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, në një takim mbi 2 orësh,  ia parashtruan kryeministrit Kurti propozimin e ndërkombëtarëve me tri kërkesa për të shtensionuar situatën.

Emisarët Lajçak dhe Escobar i kanë vendosur ultimatum Kurtit,  thuajse si një test prove e përkushtimit të tij për koordinim me aleatët.

Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë tri. E para, de-eskalimi i tensioneve në veri të Kosovës; e dyta, organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb, dhe, e treta, të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si një hap drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në një intervistë me gazetarë të martën, një ditë pas takimit me shefin e ekzekutivit, emisari Gabriel Escobar tha se Kurti ka afat dy ditë për t’u përgjigjur kërkesave të tyre, çka nënkupton se tik-taket po shpeshtohen për afatin kohor që përfundon nesër, të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21:00.

Pas kësaj, Escobar bëri të ditur se të premten, ai do të raportojë në SHBA, e emisari Lajçak në BE, lidhur me progresin ose jo drejt dakordimit.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia”.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, deklaroi Escobar në takim me gazetarë.

Escobar po ashtu e kritikoi rëndë kryeministrin Kurti duke thënë se nuk ka “instinkt bashkëpunimi”, por shtoi se lidhja e SHBA-ve është me popullin e Kosovës.

“Në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha ai.

Po ashtu sot, mediat kanë raportuar sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurtit e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

U raportua se  faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.

Në fazën e dytë, aleatët e Kosovës do të merrnin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare. / Demokracia.com/

 

Të ngjashme