Lajme
Kurti vazhdon përçarjen kombëtare edhe në përvjetorin e çlirimit të Kosovës | As në një ditë me rëndësi të madhe për kombin, Kurti nuk takohet me Ramën
Demokracia
09:38 | 10 Qershor 2024

Share:

Një agjendë e ngjeshur e pret sot kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takime, vizita e një seancë solemne është paraparë të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës.

Krejt këto në kuadër të çlirimit të Kosovës 25 vjet më parë.

Për nder të kësaj feste në Kosovë sot qëndron ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që të dy do të jenë në Prishtinë.

Por kryeministri i Kosovës do të ketë takim veç me njërin prej tyre.

Në agjendën e tij të ngjeshur nuk përmendet askund emri i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Duket se as diçka e çlirimit nuk i ka relaksuar raportet me Kurtit e Ramës.

NJOFTIM PËR MEDIA

Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 10.6.2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO’s dhe Çlirimit të Kosovës: ‘’Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare’’ -VENDI: AShAK -KOHA: 09:00
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të ish- kryeministrit britanik, Tony Blair. – VENDI: Kuvendi i Kosovës – KOHA: 10:00
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim ish- kryeministrin britanik, Tony Blair. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e Qeverisë. – VENDI: Ndërtesa e Qeverisë – KOHA: 10:45
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në shënimin e 146- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. – VENDI: Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit- KOHA: 16:00
Para pak ditësh kryeministgri i kosovës Albin Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.

“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”.

Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.

“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat”, tha Kurti në A2 CNN.

Agjenda e Ramës:

Në nisje të vizitës, kreu i qeverisë Edi Rama, do zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Më pas, Kryeministri Rama, do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama, do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish- -ryeministri Italian Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama, do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Gjithashtu, kryeministri Rama, do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

Të ngjashme