Lajme
Kurti ua lë fajin tregtarëve që vaji kushton 3.49 euro, por s’merr masa ndaj tyre
Demokracia
14:04 | 10 Mars 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar tregtarët për rritjen e çmimit të vajit, duke thënë se po bëhet “fryrje artificiale”. Ani pse i ka në dispozicion të gjithë mekanizmat që të marrë masa ndaj tyre, shefi i Qeverisë nuk po e bën një gjë të tillë.

Kurti para mediave, pas vizitës që kishte në një fabrikë të prodhimit të vajit, tha se Kosova ka rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, përcjell Demokracia.com.

“Është e vërtetë që për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursën ndërkombëtare. Sidoqoftë, në Kosovë kemi rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, që pas përpunimit, mjafton për një muaj konsum normal”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për shtrenjtimin e vajit nga dje për rreth 100 për qind, për të cilën këtë herë ua la fajin tregtarëve, përcjell Demokracia.com.

“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë siç po thoni ju, mund të thoshin se është e rastësishme, por ishte e 49 centë, anembanë Kosovës po na njoftojnë qytetarët çmimi identik, 3 euro e 49 cent. 3 euro e gjysmë do të ishte rastësi, por kjo përputhje është fryrje artificiale”, ka thënë Kurti.

Vlen të theksohet se vetëm brenda një dite në marketet në Kosovë është rritur për 100 për qind çmimi i një litre të vajit, nga 1.75 sa ka qenë deri të martën, sot ka arritur në 3 euro e gjysmë.

Rritja e çmimit ka përhapur panik të qytetarët, të cilët janë furnizuar me vaj nën frikën se çmimi mund të rritet edhe më shumë./Demokracia.com/

Të ngjashme