Lajme
Kurti ua dhuron autonominë serbëve, kjo nuk parashihej në marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës
Demokracia
21:12 | 31 Tetor 2023

Share:

Albin Kurti që për dhjetë vjet e portretizoi veten si kundërshtari më i madh i krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ia solli vendit një dëm edhe më të madh, me pranimin e modelit evropian për draft-statutin e saj.

Kurti ua mundësoi serbëve të Kosovës një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale, shkruan Demokracia.com.

Kështu rezulton sipas draft-statutit që u publikua sot nga Paparaci.

As në marrëveshjen e vitit 2013 dhe as në atë të vitit 2015, askund nuk ishte përmendur fjala autonomi, e cila figuron në draft-statutin e pranuar nga Albin Kurti.

Draft-statuti i pranuar nga Kurti, ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat dhe kompetencat e themelimit të Asociacionit.

Një nga pikat e draft-statutit parasheh rregullimin e strukturës organizative të Asociacionit. Bazuar në draft-statut, Asociacioni do të ketë kuvendin e tij, kryetarin, nënkryetarin, bordin, këshillin këshilldhënës dhe zyrën për ankesa.

Te pika “Objektivat kryesore” në draftin e statutit thuhet se ai “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Ndërkaq, në konkluzionet e draft-statutit theksohet se “projekt statuti nuk e kalon ndonjë nga vijat e kuqe të Kosovës”.

Edhe emisari Lajçak, në një deklarim për media më 23 tetor, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve.

Ky draft i përpiluar nga Bashkimi Evropian, u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë gjatë vizitës më 21 tetor të përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Tri ditë më vonë, gjatë takimeve në Bruksel me tre liderët e BE-së, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni, si dhe me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, kryeministri Albin Kurti tha se është pajtuar me propozimin për draft-statutin e Asociacionit.

Por, le të kthehemi disa vite pas dhe të shohim nëse fjala autonomi është përdorur në marrëveshjet e kaluara.

Çka thotë Marrëveshja e parë për Asociacionin e vitit 2013?

Më 19 prill 2013, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nënshkruan marrëveshjen e parë në Bruksel. Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, u pajtuan dhe nënshkruan marrëveshjen që përmbante 15 pika dhe qëllimi ishte normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Teksti i Marrëveshjes së 19 prillit në plot gjashtë pika flet pikërisht për temën në fjalë.

Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje. Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës). Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural. Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Komuniteti/Asociacioni do të ketë një rol reprezentimi në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsulent të komuniteteve. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion monitorues.

Çka thotë marrëveshja e dytë e vitit 2015?

Kosova dhe Serbia dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë nënshkruan edhe një marrëveshje tjetër për themelimin e Asociacionit në vitin 2015. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ish-kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.

Në të përmbahej edhe një klauzolë që kërkonte prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të shqyrtonte mos-përputhjet eventuale të tekstit me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konstatuar se ndeshja mes tekstit dhe Kushtetutës ndodhte në 23 nene.

“Isë, Isë, argat i Serbisë!” – ishte një ndër parullat e famshme të Vetëvendosjes kundër kryeministrit Isa Mustafa për çështjen në fjalë.

Por, Mustafa pati thënë se përmes marrëveshjes së tij kishte qenë e mundur që teksti të shkonte në Gjykatën Kushtetuese.

Marrëveshja e 2015-ës për parimet shtesë parasheh që Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën oganizative. Pra, ai duhet të ketë një kuvend si trup suprem të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Asociacioni do të ketë një kryetar, i cili do ta përfaqësojë Asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës.

Sipas marrëveshjeve, objektivat kryesore të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Çka është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parasheh grupimin e dhjetë komunave në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Për dallim nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, kryeministri Albin Kurti është pajtuar me një tekst ku për herë të parë përmendet termi autonomi për serbët. /Demokracia.com/

Të ngjashme